Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, i është përgjigjur nga foltorja e Kuvendit kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, lidhur me deklaratat e tij për mandatin e saj.
Mila tha se Berisha i ka kërkuar të dorëzojë mandatin, ndërsa solli në vëmendje viktimat e tragjedisë së Gërdecit, katër personat e vrarë më 21 Janar 2011 dhe viktimat e ngjarjeve të vitit 1997.
“Ai me të cilin e kisha replikën u largua në fakt, por e kam të sigurt që do t’ia dërgojë qytetarit dixhital përgjigjen, kështu që gjithsesi po e jap. E ka komentuar mandatin tim që pa ardhur unë në këtë parlament, vazhdon ta përgojojë mandatin tim edhe në ecejaket që bën në oborrin e SPAK-ut, të cilin ai vetë e shan dhe nuk e konsideron. Madje më kishte bërë nga atje edhe një thirrje që ta dorëzoja mandatin.
Mirë do të ishte, në fakt, që këtë standard ta kishte vendosur pikë së pari zoti Berisha dhe kush e di sa mirë do të ishte Shqipëria nëse ai do ta kishte vendosur i pari standardin e dorëzimit të mandatit. ‘Dorëzo mandatin’, më thotë mua, ndërkohë që e thërret shpirti i 26 të vrarëve në Gërdec, i katër të vrarëve në bulevard më 21 Janar dhe kush e di se sa qindra të vrarëve në ’97-ën. ‘Dorëzo mandatin’, më thotë mua ndërkohë”, u shpreh Mila.
Duke iu referuar paraqitjes së saj në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), deputetja sqaroi se ishte thirrur në cilësinë e personit në dijeni. Ajo akuzoi gjithashtu Berishën se po nxit një fushatë sulmesh dhe shpërndarjeje të informacioneve të pavërteta ndaj saj.
“Zotëri, meqenëse i ke qejf ecejaket në organet e drejtësisë, merri informacionet mirë. Merre informacionin saktë se si jam thirrur unë si person në dijeni në dyert e SPAK-ut dhe mos nxit as 101 dalmatët, të cilët më ke vërsulur që ditën e parë të këtij mandati, duke shpërndarë gënjeshtra, siç ti di më së miri ta bësh. Unë nuk i kam ditur në politikë se sa mëkate ke ti, mirëpo për këto do të vendosë drejtësia, historia dhe më së shumti Perëndia”, deklaroi deputetja.