Mauricio Pochettino ka dhënë një përgjigje interesante kur është pyetur për problemin e Manchester Unitedit me vrapimin dhe distancën e përshkuar nën drejtimin e Michael Carrick.

Argjentinasi e përfundoi aventurën e tij si përzgjedhës i Shteteve të Bashkuara të Amerikës me një fitore 2-0 ndaj Haitit, në ndeshjen e dytë çerekfinale të Ligës së Kombeve të CONCACAF-it. Tashmë, së bashku me stafin e tij, ai do të udhëtojë drejt Manchesterit, pasi javën e kaluar nënshkroi kontratë dyvjeçare e gjysmë me “Djajtë e Kuq”.


Pochettino e merr drejtimin e një skuadre që po kalon një periudhë të vështirë dhe që ka nevojë për ndryshime të menjëhershme. Manchester Unitedi renditet në pozitën e 18-të në Ligën Premier, me vetëm tetë pikë të grumbulluara pas 10 ndeshjeve. Debutimi i trajnerit të ri do të jetë veçanërisht i vështirë, pasi më 22 nëntor Unitedi do të përballet me Liverpoolin në “Anfield”.

Një nga problemet që ka shoqëruar paraqitjet e skuadrës këtë sezon është mungesa e intensitetit fizik. Sipas të dhënave të FotMob, Unitedi renditet i 19-ti në Ligën Premier për distancën e përshkuar, me një mesatare prej 112.5 kilometrash për ndeshje, ndërsa vetëm Liverpooli ka një shifër më të ulët.

Nën drejtimin e Carrick, klubi anglez ka pasur gjithashtu vështirësi në vrapimet me shpejtësi të lartë, ku renditet i 17-ti, si dhe në shpejtësinë mesatare maksimale, ku zë vendin e 19-të.

I pyetur për këtë çështje në konferencën e tij të fundit për shtyp si përzgjedhës i SHBA-së, Pochettino theksoi se futbolli nuk ka të bëjë vetëm me vrapimin, por me mënyrën se si lojtarët e bëjnë atë dhe me qëllimin që kanë në fushë.

“Futbolli është shumë kompleks. Nuk mendoj se është e rëndësishme vetëm nëse vrapon apo jo. Duhet të vraposh mirë. Duhet të vraposh me një objektiv, duhet të vraposh së bashku dhe pastaj duhet të luash. Duhet ta dish se çfarë duhet të bësh. Duhet ta shfaqësh talentin tënd”.

“Mentaliteti është shumë i rëndësishëm. Puna jonë është t’ua çlirojmë mendjen lojtarëve dhe të përpiqemi t’ua ndryshojmë këtë ide: ‘Oh, unë nuk mund të vrapoj’. Jo, ti mund të vraposh. Mund të luash, të ndihesh i lirë dhe ta shfaqësh talentin tënd. Futbolli ka të bëjë me qëndrimin, qasjen, lidhjen mes lojtarëve, ndjenjat dhe komunikimin”.

“Ka shumë elemente që duhet të funksionojnë së bashku. Nuk mund të thuash thjesht: ‘Kjo skuadër vrapon ose nuk vrapon’. Këto janë të dhëna dhe, natyrisht, informacione të rëndësishme”.

“Por më pas gjithçka varet nga kombinimi i tyre dhe nga mënyra se si duhet të gjejmë zgjidhjen. Lojtari i sotëm është si një mizë në fushë dhe gjithmonë duhet të jetë inteligjent për ta ditur se cilin buton duhet të shtypë”, deklaroi Pochettino./Telegrafi/