Doli në dritaren e taksisë duke bërë video, 24-vjeçarja e dehur rrëzohet dhe përfundon në spital

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 18.11.2026, 15:27

Një 24-vjeçare ka mbetur e dëmtuar në orët e para të mëngjesit në zonën e Mulletit, pasi dyshohet se ka rënë nga dritarja e pasme e një taksie në lëvizje.

Sipas të dhënave paraprake, e reja udhëtonte në automjet së bashku me një 23-vjeçare, ndërsa në timon ndodhej një 47-vjeçar. Dyshohet se tre personat kishin konsumuar alkool përpara incidentit.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në momentin kur 24-vjeçarja ka dalë në dritaren e pasme të taksisë për të realizuar një video, por ka humbur ekuilibrin dhe është rrëzuar nga automjeti.

Pas incidentit, ajo është transportuar në spital, ku po merr ndihmën mjekësore.

Policia ka ndaluar drejtuesin e taksisë, 47-vjeçarin me inicialet J. S., për të hedhur dritë mbi rrethanat e ngjarjes. Ndërkohë, ndaj 23-vjeçares L. T., e cila ndodhej në automjet, ka nisur procedimi penal për veprat penale të pengimit për zbulimin e së vërtetës dhe deklarimit të rremë.

Sipas policisë, kjo e fundit dyshohet se ka tentuar të pengojë zbardhjen e plotë të incidentit përmes deklarimeve të pavërteta.

Hetimet vijojnë për të sqaruar dinamikën e ngjarjes dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit