Bashkimi Evropian synon të sigurojë një tjetër paketë financiare prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën, për ta ndihmuar vendin të përballojë shpenzimet e luftës me Rusinë, të mbajë në funksion institucionet shtetërore dhe të forcojë mbrojtjen ushtarake. Për këtë financim, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kërkon mbështetjen e të gjitha 27 vendeve anëtare, duke theksuar se asnjë shtet nuk duhet t'i shmanget përgjegjësisë së përbashkët.

“Buxhet i përbashkët, përgjegjësi të përbashkëta. Ky është një element shumë i rëndësishëm”, deklaroi von der Leyen gjatë një konference për shtyp.

Sipas skemës së propozuar, financimi do të ndahet në dy komponentë: një civil dhe një ushtarak. Pjesa civile do të shërbejë për mbështetjen e buxhetit të Ukrainës, institucioneve dhe shërbimeve publike, ndërsa komponenti ushtarak do të përdoret për nevojat e mbrojtjes, përfshirë armatimet dhe pajisjet ushtarake.

Megjithatë, propozimi ka hasur në rezistencën e disa vendeve anëtare. Bullgaria, Republika Çeke, Hungaria dhe Sllovakia kanë sinjalizuar se nuk dëshirojnë të përfshihen në skemën financiare.

Von der Leyen theksoi se mekanizmi i ri ndryshon nga skema e mëparshme, ku tri vende anëtare u lejuan të mos merrnin pjesë. Këtë herë, sipas saj, huaja lidhet drejtpërdrejt me buxhetin e përbashkët të Bashkimit Evropian dhe kërkon një përgjegjësi të përbashkët.

Ajo sqaroi se vendet që nuk dëshirojnë të kontribuojnë në financimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën mund të marrin pjesë në mbështetjen e komponentit civil.

“Jam shumë e bindur se do të arrijmë një marrëveshje mes të 27 vendeve, sepse të gjitha shtetet anëtare e mbështesin shprehimisht Ukrainën”, u shpreh presidentja e Komisionit Evropian.