Prokuroria e Posaçme ka kërkuar konfiskimin e pasurive me vlerë rreth 9.1 milionë euro, të cilat dyshohet se lidhen me një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun e narkotikëve dhe pastrimin e parave.
Kërkesa për konfiskim është depozituar më 17 nëntor 2026 në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, në kuadër të procedimit pasuror nr. 10 të vitit 2025. Sipas SPAK, pasuritë janë identifikuar gjatë verifikimeve pasurore, ekspertimeve kontabël dhe vlerësimeve të kryera, pasi dyshohet se nuk justifikohen me burime të ligjshme të ardhurash.
Procedimi pasuror është regjistruar mbi bazën e hetimeve të kryera në kuadër të procedimit penal nr. 36 të vitit 2019, për trafikim narkotikësh në formën e bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Në listën e pasurive për të cilat kërkohet konfiskimi janë tre automjete luksoze, kuota në katër shoqëri tregtare dhe në një person fizik, si dhe 24 pasuri të paluajtshme.
Automjetet janë një BMW e vitit 2018, një Mercedes-Benz AMG GLE 63 4MATIC i vitit 2017 dhe një BMW X6 e vitit 2021.
Ndërsa kuotat e shoqërive tregtare i përkasin kompanive “Marquess” sh.p.k., “Felix Vinum” sh.p.k., agjencisë së udhëtimit “Dubai im” sh.p.k. dhe shoqërisë së televizionit kabllor “Vlora CABLE” sh.p.k., si dhe personit fizik “O. Sh”.
Pjesa më e madhe e pasurive të paluajtshme ndodhen në Durrës dhe përfshijnë apartamente, njësi tregtare, truall dhe ndërtesë. Në listën e SPAK janë prona me sipërfaqe nga 48 deri në 199 metra katrorë, dy njësi me sipërfaqe përkatësisht 548.32 dhe 355 metra katrorë, si dhe një truall prej 282.5 metra katrorësh me ndërtesë 248 metra katrorë.
Në listë përfshihen gjithashtu disa sipërfaqe të tjera toke në Durrës, mes tyre prona prej 1.745, 910 dhe 3.050 metrash katrorë. Ndërsa në Vlorë janë identifikuar edhe dy vende parkimi.
SPAK bën me dije se pasuritë janë regjistruar në emër të personave nën hetim, familjarëve të tyre dhe personave të lidhur me ta. Vlera e përgjithshme është përllogaritur sipas çmimeve aktuale të tregut në rreth 9.1 milionë euro.
Tashmë kërkesa e Prokurorisë së Posaçme pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme, e cila do të vendosë për konfiskimin e pasurive.



