Gazetari Almer Toska, i ftuar në News24, komentoi zhvillimet e fundit në Partinë Socialiste, duke pretenduar se kryeministri Edi Rama po vepron në interes të Belinda Ballukut.
Sipas tij, përjashtimi i Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga strukturat drejtuese lidhet me qëndrimet e tyre kundër ish-zëvendëskryeministres.
Toska deklaroi gjithashtu se Rama dhe Balluku janë të lidhur politikisht në përpjekje për të ruajtur status quo-në.
Gjatë intervistës, ai ngriti edhe pretendimin se në SPAK po hetohen tri çështje të tjera që lidhen me Ballukun: Aeroporti i Vlorës, Delvina Gas dhe bisedat e pretenduara për tregtinë e armëve me Ron Yeffet dhe grupin e tij.
Pjesë nga deklarata e gazetarit Almer Toska:
“Rama foli si kamikaz i Ballukut. Belinda Balluku, që prej kohësh e kontrollon Ramën, i dha atij disa detyra dhe ai po i kryen me shumë devotshmëri. Rama doli aty dhe kë përjashtoi? Spiropalin dhe Plarent Ndrecën, dy kundërshtarët më të mëdhenj të Ballukut.
Spiropali dhe Erion Veliaj, që ka avokat Ndrecën. Spiropali ka mbështetje nga ndërkombëtarët në BE dhe SHBA. Duke e parë si rrezik për marrjen e pushtetit, Balluku i dha urdhër Ramës. Veliaj, nga ana tjetër, ka filluar të flasë dhe Balluku e Rama kanë bashkëpunim për ruajtjen e status quo-së.
Rama, nëse largohet nga kryeministër, ia beson pushtetin vetëm Ballukut. Rama u tha socialistëve se janë M… i madh pa të. Votat i bën Balluku, Ergys Agasin e kishte Rama, votat në terren i bën Rama, korrupsionin e madh e bën Rama etj. Askush nuk ka potencën aty t’i përgjigjet Ramës.
Ndaj këta dy njerëz e kanë fatin të bashkuar: ose fundosen të dy, ose qëndrojnë të dy. Ndaj Rama tallet me ta dhe i telendis. Një mijë orë filmime që ka Agasi i përmendi Pandeli Majko. Erion Braçen e diskredituan. Sot Erion Braçe nuk flet më. Nuk është më agresiv politikisht ndaj Ramës, e ka ulur dozën e luftës politike. Ata kontrollojnë çdo gjë. Kujton Balluku se do të shpëtojë?”
**Për tri dosjet e pretenduara në SPAK:**
“SPAK ka tri dosje të reja për Ballukun. Nga kontaktet e mia në SPAK kam të dhëna, ka tri dosje të tjera për Ballukun.
Një është dosja e aeroportit të Vlorës. Behgjet Pacolli mund të tregojë çfarë ka dëshmuar në SPAK dhe para prokurorëve në Zvicër. Është një dosje që rëndon mbi Ballukun.
Dosja e dytë është Delvina Gas. Çështja e tretë është Ron Yeffet, bisedat për pazarin e armëve dhe bisedat e Ballukut me Ron Yeffet dhe grupin e tij për tregtinë e armëve, pazare të ndryshme etj. Është çështje shumë e nxehtë.”













