Deputeti socialist Erion Braçe ka lëshuar kritika të forta ndaj mënyrës së administrimit të fondeve publike, duke kërkuar që ministrat që nuk përmbushin objektivat buxhetorë të largohen nga detyra. Gjatë diskutimeve në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2027, Braçe theksoi se mosrealizimi i të ardhurave dhe shpenzimeve të planifikuara është një problem që përsëritet prej vitesh dhe që, sipas tij, nuk mund të vazhdojë pa përgjegjësi konkrete.
“Ajo që unë nuk pranoj është që qeveria të rrezikojë buxhetin. Më qartë, mosrealizimi i buxhetit, mosrealizimi i të ardhurave apo shpenzimeve, në variantin që ka disa vite që po ndodh”, u shpreh deputeti socialist. Braçe riktheu në vëmendje kërkesën e tij të mëparshme për largimin e anëtarëve të kabinetit që nuk arrijnë të realizojnë shpenzimet e miratuara, duke e cilësuar paaftësinë në menaxhimin e parasë publike si të papranueshme.
“Vjet këtu thashë që ministrat që nuk realizojnë shpenzimet e planifikuara në buxhetin e shtetit duhet të ikin nga qeveria. Nuk ua ka borxh kërkush padijen dhe paaftësinë për të përdorur paranë publike me efektivitet, abuzimin me të jo e jo”, deklaroi ai. Duke këmbëngulur në qëndrimin e tij, Braçe kërkoi që përgjegjësia për zbatimin e buxhetit të mos mbetet vetëm në nivel deklaratash.
“Kështu që i mbetem të njëjtës kërkesë: kush rrezikon realizimin e buxhetit dhe sjell risk serioz për të, nuk ka pse rri më në qeveri”, theksoi deputeti. Kritikat e Braçes nuk u kufizuan vetëm te administrimi i financave publike. Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për përqendrimin e pushtetit politik dhe ekonomik, duke paralajmëruar për ndikimin që mund të ushtrojnë individët me fuqi të madhe ekonomike në përfaqësimin politik.
“Asnjë përqendrim nuk është i mirë kudo. Ne e kemi aktualitetin partiak të tillë që drejtuesit e jo votat caktojnë mbajtësit e pushtetit, ministra, deputetë, kryetar bashkish etj”, u shpreh Braçe. Sipas tij, përqendrimi i të ardhurave dhe i fuqisë punëtore në duart e një numri të kufizuar individësh mund të krijojë hapësira për ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen politike.
