Ministrja për Ekonominë dhe Inovacionin, Delina Ibrahimaj, ka prezantuar sot projektbuxhetin 2027 për institucionin që drejton.

Ibrahimaj tha se përmes nismave për mbështetjen e familjeve në nevojë dhe të rinjve, Qeveria do të garantojë 10 mijë çelësa në dorë për qytetarët, në mënyrë që strehimi i tyre të thjeshtësohet.

Ajo foli edhe për mbështetjen e pensionistëve përmes rritjes së shtesave mujore të parashikuar në pr.buxhetin 2027 dhe për indeksimin e pagave në sektorët kryesorë të ekonomisë.

“Në buxhetin për Ministrinë e Ekonomisë e Inovacionit, janë të parashikuara rreth 42 miliardë lekë. Ky buxhet mbështet politikat dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Pjesa më e konsiderueshme e tij, 28.13 miliardë lekë shkon për financimin e diferencës së skemës së sigurimeve shoqërore. Pjesa tjetër mbështet arsimin profesional, punësimin, strehimin, inovacionin, zhvillimin ekonomik dhe institucionet që mbrojnë konsumatorin dhe mbikqyrin tregun. Në mënyrë konkrete për vitin 2027 janë parashikuar 28.13 miliardë lekë për financimin e diferencës së skemave të sigurimeve shoqërore. 5.07 miliardë lekë për arsimin e mesëm profesional, 3.8 miliardë lekë për programin e tregut të punës dhe 1.2 miliardë lekë për strehimin. Krahas këtyre programeve financohet edhe politikat e zhvillimit ekonomik e mbikëqyrjes së tregut.

Pensionistët do të kenë mbështetje më të madhe me buxhetin e ri. Në vitin 2027 për pensionistët urbanë, që kanë vite të plota pensioni, shtesa mujore do të shkojë nga 1800 lekë në 3600 lekë. Për pensionet urbane të pjesshme nga 800 në 1600 lekë, për pensionet rurale nga 1000 në 2000 lekë, për pensionet familjare nga 700 në 1400 lekë, për pensionet e invaliditetit të punës nga 600 shtesa do të shkojë në 1200 lekë. Për këtë politikë në buxhetin e vitit 2027 janë parashikuar 20 miliardë lekë, nga 10.4 që ishin parashikuar në buxhetin e vitit 2026. Angazhimi ynë për pensionistët shkon përtej kësaj. Deri në vitin 2030 ne kemi vendosur objektiva të qarta. Asnjë pensionist urban me vite të plota pune nuk do të ketë më pak se 40 mijë lekë në muaj.

Do përmirësohen pagat. Gjatë vitit 2026 ne rritëm pagën minimale në 50 mijë lekë. Një masë që vlerësohet të ketë pasur ndikim në 308 mijë të punësuar në sektorin publik e privat. Krahas këtyre, në vitin 2026 ne indeksuam pagat për të gjithë sektorin publik. Në paketën fiskale të vitit 2027 ky është një tjetër ndryshim i rëndësishëm. Pasi pragu i tatimit për pagën, me normën 23%, propozohet të rritet nga 200 deri në 300 mijë lekë në muaj. Një punonjës që merr 250 mijë lekë pagë bruto në muaj do të paguajë rreth 5 mijë lekë më pak tatim në muaj.

Paketa fiskale 2027 parashikon uljen në 6% të TVSH-së për 54 produkte bazë të shportës ushqimore. Kjo do të thotë më shumë para në dispozicion të familjeve shqiptare. Do të garantojmë monitorimin e këtyre çmimeve. Qeveria është duke përgatitur një nismë ligjore, e cila do i japë më shumë fuqi institucioneve publike, me qëllim garantimin e reduktimit të çmimit bazuar në reduktimin fiskal që vjen si propozim i paketës fiskale. Strehimi është një tjetër mundësi që përmes këtij projektbuxheti, do i dedikohet të gjithë atyre çifteve dhe të rinjve e të rejave, për të cilët do të ketë më shumë mundësi. Përmes pr.buxhetit ne do të garantojmë 10 mijë çelësa në dorë për qytetarët, në mënyrë që strehimi i tyre të vijë i lehtësuar, përmes subvencionimit të interesave të kredive, apo përmes subvencionimit të interesave të kredive, apo përmes subvencionimit të qirave, por gjithashtu të gjithë programeve të tjera të strehimit”, tha mes të tjerash Ibrahimaj.


Lajmi kryesor:

Buxheti 2027, Malaj: Ulim borxhin, rrisim investimet dhe mbështetjen sociale! PD: Pse nuk caktoni minimumin jetik? Rrisni taksat për bizneset