I akuzuar për shkelje të barazisë në tendera, GJKKO dënon me 1 vit e 4 muaj burg ish-kryebashkiakun e Memaliajt, i heq edhe të drejtën e ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite Dy shtetas shqiptarë, Leo Toma, 34 vjeç, dhe Arlindi Tomaj, 22 vjeç, kanë mbetur në burg në Itali, pasi Prokuroria konfirmoi masën e arrestit ndaj tyre pas operacionit të zhvilluar pesë ditë më parë në një strukturë akomoduese me emrin “Immersa nel Verde”.
Dy të rinjtë u arrestuan nga karabinierët gjatë një aksioni në zonën mes San Biagio dhe Offagna, pas një dite të tërë ndjekjesh dhe vëzhgimesh nga forcat e rendit.
Sipas mediave lokale, hetuesit arritën të identifikonin automjetin e dyshimtë përmes kamerave të leximit automatik të targave (OCR) në disa bashki përreth. Pas ndjekjes në zonat Via San Giovanni dhe Brecce Bianche, efektivët e policisë rrethuan strukturën ku dyshohej se fshiheshin personat e përfshirë në vjedhje.
Gjatë ndërhyrjes, një person i tretë, i cili drejtonte automjetin e marrë me qira, arriti t’u shpëtonte karabinierëve pas një përleshjeje fizike me ta. Sipas rindërtimit të ngjarjes nga mediat italiane, ai u largua me shpejtësi nëpër fusha, në kushtet e shiut dhe errësirës, duke përfunduar në zonën e luginës së lumit Aspio.
Më pas, dyshohet se ka vjedhur një automjet që ishte i parkuar në zonë dhe është larguar pa u identifikuar. Policia italiane vijon kërkimet për kapjen e tij, ndërsa po heton edhe për ndihmësit e mundshëm që mund ta kenë strehuar.
Gjatë operacionit, autoritetet kanë sekuestruar mjete të përdorura për hapjen e kasafortave, ndërsa një pjesë e sendeve të vjedhura është rikthyer te pronarët. Bëhet fjalë për 2.810 euro cash, si dhe sende ari dhe bizhuteri.
Dy të arrestuarit, të cilët sipas raportimit italian rezultonin të njohur për autoritetet, do të qëndrojnë në dispozicion të drejtësisë, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit të grupit dhe identifikimin e personit të tretë.
Operacioni është cilësuar si një ndërhyrje e suksesshme e karabinierëve, të cilët arritën të ndërhynin në kohë reale dhe të ndalonin dy prej personave të dyshuar për përfshirje në vjedhje.
Top Channel