Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi në Forumin Schuman: Siguria kërkon partneritete të besueshme dhe veprim konkret
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, mori pjesë në edicionin e tretë të Forumit Schuman për Sigurinë dhe Mbrojtjen, ku vuri theksin te nevoja për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar përballë sfidave aktuale gjeopolitike.
Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, ministri Nufi bëri të ditur se në një realitet gjeopolitik gjithnjë e më kompleks dhe të paparashikueshëm, siguria e përbashkët kërkon më shumë sesa thjesht angazhime politike. Sipas tij, situata aktuale dikton nevojën për “partneritete të besueshme, përgjegjësi të përbashkët dhe veprim konkret”.
Gjatë diskutimeve në sesionin plenar me temë “Siguria globale në një mjedis në ndryshim: Partneritete të besueshme për një të ardhme më të sigurt”, kreu i Mbrojtjes u ndal te koordinimi strategjik mes aleatëve. Ai nënvizoi “rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit transatlantik, të koordinimit NATO–BE dhe të një mbrojtjeje evropiane që plotëson dhe forcon Aleancën”.
Duke analizuar zhvillimet e fundit ndërkombëtare, nga lufta në Ukrainë e deri te dinamikat e sigurisë në rajon, Nufi u shpreh se sfidat janë të ndërlidhura. “Nga agresioni rus kundër Ukrainës te sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, realiteti dëshmon se siguria e vendeve tona është e pandashme”, deklaroi ai.
Në përfundim të reagimit të tij, ministri rikonfirmoi pozicionimin strategjik të vendit, duke theksuar se “Shqipëria do të vijojë të jetë një aleate e përkushtuar e NATO-s, një mbështetëse e fortë e bashkëpunimit evropian dhe një kontribuuese aktive për paqen dhe stabilitetin rajonal e euroatlantik”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.











