Spektakli muzikor Fest 65/ Nisin provat me Orkestrën e RTSH-së, artistët rrëfejnë emocionet e pjesëmarrjes
Përgatitjet për Festivalin e 65-t të Këngës kanë nisur në sallën e Orkestrës së RTSH-së. Artistët pjesëmarrës janë bërë bashkë për provat e para, ku kanë interpretuar këngët e tyre të shoqëruar live nga orkestra dhe bendi i festivalit. Një etapë e rëndësishme përpara ngjitjes në skenë, ku çdo interpretim nise të marrë formën që do të prezantohet para publikut në dhjetor.
“Është hera e parë që unë po këndoj në RTSH edhe gjithë ajo orkestër dhe ma dha një emocion tepër të bukur”, u shpreh këngëtari Auron Deva.
“Kjo është hera ime e dytë në festival. Por sa herë që bëj prova me orkestrën, sidomos këtu, në sallën e orkestrës, ndiej një lloj përgjegjësie më të madhe se çdo herë tjetër”, tha këngëtari Ardit Çuni.
Në intervistat e para pas përfundimit të provave të para, artistët kanë zbuluar edhe emrat e autorëve që kanë punuar për muzikën dhe tekstet e këngëve të tyre, si dhe idetë artistike që qëndrojnë pas këtyre krijimeve.
“Është e kompozuar nga Sardi Shehu, i njohur edhe me emrin e skenës DJ Sardi, ndërsa teksti është shkruar nga Anxhela Peristeri”, tha Deva.
“Kompozitori i këngës sime është Valter Beqo. Teksti është shkruar nga Martin Pano, ndërsa orkestrimi është realizuar po nga Valter Beqo. Në fakt, kur Valteri e kompozoi këngën, më dha një lloj emocioni”, u shpreh Amela Qemalja, këngëtarja.
“Kam punuar me të njëjtin ekip si në vitin 2024: Marcel Gunga për kompozimin, së bashku me mua, dhe ST Vushe për tekstin. Sa i përket garës, patjetër që do të ishte budallallëk i madh të thoja se nuk pretendoj të fitoj”, tha Ardit Çuni.
“Këngën e ka punuar Klodi Rexhepaj dhe tekstin ma ka shkruar Kiara Sala”, tha kwngwtarja Leandra Godaj.
Festivali i 65-t I këngës në RTSH po përgatitet të shënojë një tjetër kapitull në historinë e tij muzikore. Ky vit jubilar do të mbahet nga data 17 deri më 20 dhjetor.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




