Nga Petro Koç
Modestisht për Asamblenë:
1. Lajmi më i mirë e ndoshta i vetmi si i tillë ishte caktimi i Ervin Demos dhe Albana Koçiut në drejtimin e PS për bashkinë e kryeqytetit. Do të doja që ky akt të kurorëzohej nëpërmjet një procesi zgjedhor, por në gjykimin tim ata, në përbërjen aktuale të lidershipit të PS-së, përfaqesojnë zgjidhjen më të qëlluar në konsideratë të përvojës, zotësisë e mbi të gjitha të integritetit.
Të dy kolegët, bashkë me Erion Braçen përbëjnë ndoshta kapitalin njerëzor më të arrirë nga i cili do të përzgjidhet kandidatura përfundimtare për Kryetar bashkie në garen e zgjedhjeve vendore që po troket.
2. Lajmi më i keq ishte propozimi e pastaj pretendimi se Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca qenkëshin përjashtuar nga forumet e PSSH. Qasja disiplinore kërkon argumentim të plotë dhe të bazuar në Statutin e partisë. Parti e vërtetë është ajo në të cilën Statuti është më i fortë se Kryetari apo Sekretari i Përgjithshëm. Përndryshe koncepti institucional parti, shkërmoqet. Eshtë e vërtetë që Elisa ka dalë në mexhlis me disa qëndrime të konsideruara problematike nga një pjesë me peshë e opinionit socialist. Mund të kenë qenë ato qëndrime të motivuara nga iluzione apo emocione të shkak tuara nga tensionet shpesh panikndjellëse të protestave. Qëndrimet e saj mund të vijnë në një pjesë të tyre nga menyra sesi ajo u përndoq nga qeveria. Arsyet më mirë se unë i di vetë ajo. Une thjesht arsyetoj me supozime.
Por propozimi për përjashtim ishte i tepërt dhe demprures.
PS nuk i intereson një unitet i bazuar te frika, por një unitet i bazuar në besim dhe bindje politike të vërtetë.
Në fund të fundit Elisa nuk është Marjana Koçeku për përzgjedhjen e të cilës nuk mbajti askush përgjegjësi.
Rasti e Plarentit është edhe më pa kuptim. E kujtoj Plarentin në krye të Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi. Ishte gati heroik në përballimin e nje procesi që vetëm parlamentar nuk mund të quhej dhe që bazohej në një platformë si ato të Pleniumeve të PP.
3. Përjashtimi nga forumet me rastin e të shtunës është një pretendim nul. Nëse propozimi nuk është votuar institucionalisht ai, nuk validohet dot.
Statuti është shumë i qartë me kësi rastesh.
4. Në bazë të Statutit, deputeti është ex oficio anëtar i Asamblesë Kombetare. Statuti nuk ka përcaktim ndryshe. Nëse Elisa është anetare e Grupit Socialist, ajo automatikisht është në Asamble. Nuk besoj se do çmendej partia e ta përjashtonte nga grupi.
5. Do të ishte lajm i shkëlqyer akti i pritshëm i përjashtimit të ndonjë të korruptuari. Standardi i largimit të paktën përkohësisht i personave ndaj të cilëve ka filluar proces penal duhet të jetë përherë i detyrueshëm për një parti që pretendon luftë ndaj korrupsionit. Kjo nuk do të thotë që hiqet dorë nga prezumimi i pafajësisë.
6. Partia Socialiste nuk ka nevojë që anëtarët e saj të ndahen në Facebook në grupe ku disa përbetohen për Kryetarin e mallkojnë plangprishësit e të tjerë që mallkojnë Kryetarin e lëvdojnë kritizerët.
Jemi pak muaj para zgjedhjeve. Kërkohet qartësi dhe bashkim parimor forcash. Kritikat konstruktive i bëjnë mirë shëndetit politik të PS.
7. Protestat në fillimet e veta të qershorit ishin më shumë se simpatike. Ato i dhanë ngjyrë europiane vëmendjes dhe reagimit të publikut ndaj zhvillimeve politike.
Por fenomenet e dhunës e plaçkitjes që ndodhën kohët e fundit e rrëzuan qytetarinë fillestare dhe e kompromentuan përkrahjen popullore.
Pushteti ndërrohet me votë. Jo në tavolinë
Ndërkohe protestës i mungon vizioni dhe lidershipi.
Vizioni dhe lidershipi berishian përbëjnë prapakthim dhe e fundosin qëllimin e supozuar progresist të protestës.
Permbysja revolucionare e synuar bie ndesh me përshpejtimin e procesit të integrimit europian.
Protesta i ka arritur disa suksese, ulja e tvsh se për ushqimet, heqja e taksës së qarkullimit nga karburanti, premtimi për rritje pagash për policinë etj..
Këto duhen shoqëruar me hapa të tjerë si psh., rritja e pagave për pedagogët, ndërtimi i ambienteve sportive për rininë e fëmijët në vend të kullave etj..
