Tanket izraelite kanë avancuar në Gazën qendrore, duke hyrë në zona përtej Vijës së Verdhë, në atë që banorët e cilësojnë si ndërhyrjen e parë tokësore të këtij lloji që nga armëpushimi i tetorit 2025. Operacioni është shoqëruar me bombardime, të shtëna armësh dhe sulme me dronë, ndërsa tre palestinezë janë vrarë dhe disa familje janë detyruar të largohen nga strehimoret pranë zonës së luftimeve.
Sipas reuters përpara avancimit të tankeve, dy sulme izraelite me dronë kishin shkaktuar viktima në qytetin e Gazës dhe në Deir al-Balah. Më pas, dëshmitarët raportuan se automjetet e blinduara izraelite avancuan drejt rrugës kryesore Salahudeen, pranë kampit të refugjatëve Nuseirat.
Ushtria izraelite konfirmoi zhvillimin e një operacioni ushtarak në zonë, duke deklaruar se objektivi ishte infrastruktura e Hamasit. Ndërkohë, bombardimet dhe të shtënat detyruan familjet që ndodheshin në strehimoret përreth të largoheshin për sigurinë e tyre.
Hamasi e cilësoi ndërhyrjen si përshkallëzim të rrezikshëm dhe shkelje të marrëveshjes së armëpushimit, duke akuzuar Izraelin se po minon angazhimet e marra. Nga ana tjetër, Izraeli pretendon se Hamasi po përpiqet të riorganizohet dhe të riarmatoset.
Shqetësimet për shembjen e armëpushimit janë shtuar edhe pas një raporti të organit që mbikëqyr planin amerikan për përfundimin e luftës në Gaza. Dokumenti akuzon të dyja palët se nuk po përmbushin angazhimet për ndalimin e armiqësive.
Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, më shumë se 1.600 palestinezë janë vrarë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, ndërsa bilanci i përgjithshëm i viktimave që prej fillimit të luftës në tetor 2023 ka kaluar 74 mijë. Ushtria izraelite deklaron se gjatë periudhës së armëpushimit kanë humbur jetën pesë ushtarë të saj.









Komente
Komento