Industria dhe tregtia me pakicë rritin pagat në Kosovë, por punësimi mbetet prapa

Të dhënat zyrtare për shtatorin 2026 tregojnë rritje prej 14.87 për qind të fondit të pagave në industri dhe 21.46 për qind në tregtinë me pakicë. Qarkullimi në tregtinë me pakicë u rrit për 11.91 për qind, ndërsa numri i të punësuarve në këtë sektor për 4.39 për qind.
Industria dhe tregtia me pakicë në Kosovë kanë shënuar rritje në disa prej treguesve kryesorë ekonomikë gjatë muajit shtator të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Megjithatë, të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se rritja e fondit të pagave ka qenë dukshëm më e lartë sesa rritja e numrit të të punësuarve, si në industri, ashtu edhe në tregtinë me pakicë.
Sipas ASK-së, fondi i pagave dhe mëditjeve në sektorët e industrisë është rritur për 14.87 për qind në shtator 2026, ndërsa numri i të punësuarve ka shënuar rritje prej vetëm 2.62 për qind. Në anën tjetër, qarkullimi në sektorët e industrisë është rritur për 2.10 për qind, krahasuar me shtatorin e vitit 2025.
Sa i përket qarkullimit sipas aktiviteteve ekonomike, rritjen më të madhe e ka shënuar industria nxjerrëse, përkatësisht minierat dhe guroret, me 38.67 për qind. Rritje është regjistruar edhe në furnizimin me ujë, aktivitetet e menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave, me 8.25 për qind, si dhe në furnizimin me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, me 6.96 për qind.
Ndërkaq, industria përpunuese ka shënuar rënie të qarkullimit prej 0.93 për qind.
Në aspektin e punësimit, industria përpunuese ka pasur rritje prej 3.52 për qind, ndërsa sektori i furnizimit me ujë, menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave është rritur për 3.34 për qind.
Në të kundërtën, numri i të punësuarve në industrinë nxjerrëse ka rënë për 10.14 për qind, ndërsa në furnizimin me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar është shënuar rënie prej 0.48 për qind.
Për dallim nga punësimi dhe qarkullimi, fondi i pagave në industri ka pasur rritje dukshëm më të madhe. Sipas ASK-së, industria përpunuese kryeson me rritje prej 20.08 për qind, e ndjekur nga furnizimi me ujë, menaxhimi dhe trajtimi i mbeturinave me 11.59 për qind, si dhe industria nxjerrëse me 5.34 për qind.
I vetmi sektor me rënie të fondit të pagave në industri është furnizimi me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, ku është regjistruar ulje prej 1.37 për qind.
Rritje edhe më e madhe në tregtinë me pakicë
Një rritje më e theksuar është regjistruar në sektorin e tregtisë me pakicë, pa përfshirë tregtinë e automjeteve dhe motoçikletave. Sipas të dhënave të ASK-së, qarkullimi në këtë sektor është rritur për 11.91 për qind në shtator 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak.
Rritjen më të madhe të qarkullimit e ka shënuar tregtia me pakicë e karburantit për automjete, në dyqane të specializuara, me 30.57 për qind. Pas saj renditet tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, me rritje prej 28.74 për qind.
Rritje të konsiderueshme është regjistruar edhe në tregtinë me pakicë të mallrave kulturore dhe të argëtimit, me 17.56 për qind, si dhe në shitjet jashtë dyqaneve, përfshirë tregtinë përmes postës dhe internetit, me 16.37 për qind.
Ndërkohë, qarkullimi në tregtinë me pakicë të pajisjeve informatike dhe të komunikimit është rritur për 10.31 për qind, në dyqanet jo të specializuara për 8.80 për qind, ndërsa tregtia me pakicë e mallrave të tjera në dyqane të specializuara ka shënuar rritje prej 7.69 për qind.
Përjashtim bën tregtia me pakicë e pajisjeve të tjera shtëpiake në dyqane të specializuara, ku qarkullimi ka rënë për 12.80 për qind.
Edhe numri i të punësuarve në tregtinë me pakicë ka shënuar rritje, por dukshëm më të ulët sesa qarkullimi dhe fondi i pagave. Në shtator 2026, punësimi në këtë sektor është rritur për 4.39 për qind, krahasuar me shtatorin e vitit 2025.
Sipas aktiviteteve ekonomike, rritjen më të madhe të punësimit e ka pasur tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, me 17.30 për qind. Pas saj vjen tregtia e mallrave kulturore dhe të argëtimit me 13.64 për qind, ndërsa tregtia e pajisjeve informatike dhe të komunikimit ka shënuar rritje prej 11.57 për qind.
Rritje të punësimit është regjistruar edhe në dyqanet jo të specializuara me 6.79 për qind, në shitjet përmes internetit dhe jashtë dyqaneve me 4.63 për qind, në tregtinë e mallrave të tjera me 4.32 për qind dhe në tregtinë e pajisjeve të tjera shtëpiake me 3.13 për qind.
Megjithatë, në tregtinë me pakicë të karburantit për automjete është shënuar rënie e numrit të të punësuarve prej 13.27 për qind.
Fondi i pagave në tregti rritet mbi 21 për qind
Treguesi me rritjen më të madhe në tregtinë me pakicë është fondi i pagave dhe mëditjeve. Sipas ASK-së, ky fond është rritur për 21.46 për qind në shtator 2026, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Rritja më e madhe është regjistruar në tregtinë me pakicë të produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, ku fondi i pagave është rritur për 48.23 për qind.
Në tregtinë e mallrave kulturore dhe të argëtimit rritja ishte 42.76 për qind, ndërsa në tregtinë e pajisjeve informatike dhe të komunikimit 27.77 për qind.
Rritje të fondit të pagave ka pasur edhe në tregtinë e mallrave të tjera me 24.19 për qind, në pajisjet e tjera shtëpiake me 23.09 për qind, në dyqanet jo të specializuara me 20.87 për qind, si dhe në shitjet përmes internetit dhe jashtë dyqaneve me 15.14 për qind.
Ndërkaq, tregtia me pakicë e karburantit për automjete është i vetmi aktivitet ku fondi i pagave ka shënuar rënie, për 0.63 për qind.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









