Komisioni Evropian u kërkon familjeve në vendet e Bashkimit Evropian të përgatiten për të përballuar të paktën 72 orë në rast të një krize që mund të ndërpresë shërbimet jetike, si energjia elektrike, furnizimi me ujë dhe komunikimi.
Udhëzimet, të prezantuara më 3 nëntor, synojnë të lehtësojnë punën e shërbimeve të emergjencës, në mënyrë që ndihma të përqendrohet te personat që kanë më shumë nevojë.
Komisioni Evropian rekomandon që familjet të krijojnë rezerva me ushqime, ujë të pijshëm dhe ilaçe, si dhe të kenë një radio me bateri ose me kurdisje manuale, karikues telefoni, para në dorë dhe kopje të dokumenteve të rëndësishme. Gjithashtu, qytetarët këshillohen të hartojnë një plan familjar për situatat emergjente dhe të mësojnë aftësi bazë, si ndihma e parë.
Këto udhëzime janë vullnetare. Megjithatë, disa vende evropiane kanë përcaktuar tashmë periudha të ngjashme përgatitjeje. Belgjika dhe Holanda rekomandojnë rezerva për të paktën 72 orë, Suedia për një javë, ndërsa Gjermania këshillon që familjet të jenë të përgatitura për rreth 10 ditë.
Objektivi i 72 orëve është pjesë e Strategjisë së BE-së për Gatishmërinë ndaj Krizave. Rritja e sulmeve kibernetike, fatkeqësive të lidhura me klimën dhe krizave shëndetësore ka shtuar shqetësimet për ndërprerjen e energjisë, komunikimeve dhe furnizimeve bazë.
Sipas Eurobarometrit të fundit, 49% e evropianëve deklarojnë se ndihen të përgatitur për një krizë, ndërsa 48% thonë se nuk janë. Megjithatë, këto shifra pasqyrojnë perceptimin e qytetarëve dhe jo domosdoshmërisht rezervat që ata kanë në dispozicion. Një sondazh i mëparshëm tregoi se gati katër në dhjetë evropianë nuk kishin kohë ose mundësi financiare për t’u përgatitur.
Komisioni Evropian thekson se masat duhet të ndërmerren gradualisht dhe pa kosto të larta, duke marrë parasysh edhe nevojat e të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara.
Megjithatë, për momentin nuk parashikohet një fond i ri i posaçëm apo shpërndarja falas e pakove të emergjencës në të gjithë BE-në. Përgjegjësia për mbrojtjen civile mbetet në nivel kombëtar.