Fitore Pacolli, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, njoftoi se Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka kryer një kontroll përgjatë lumit Klina në fshatin Klinë e Epërme të Skenderajt, ku u konstatuan mbeturina të hedhura në rrjedhën e lumit.
Sipas saj, hedhja e mbeturinave është vërejtur në një shtrirje prej rreth 250 metrash, edhe pse zona është pastruar disa herë brenda këtij viti.
Të lidhura
None found
Për shkak se ndotja ka vazhduar, Inspektorati i Ministrisë e ka detyruar Komunën e Skenderajt, përkatësisht Drejtorinë e Inspektoratit, të ndërmarrë masa konkrete për pastrimin e kësaj pjese.
Po ashtu, Komunës i është kërkuar të zbulojë personat që hedhin mbeturina në pronën ujore, të veprojë ndaj tyre dhe të marrë masa që raste të tilla të mos përsëriten.
Pas urdhrit të Inspektoratit, Komuna e Skenderajt duhet të njoftojë edhe për hapat që ka ndërmarrë.
Në mbyllje, Pacolli solli në vëmendje se mbrojtja e lumenjve është një përgjegjësi e përbashkët.







