Kumbaro në Kuvend për Buxhetin: Rritja më e madhe për arsimin e lartë, 11.500 studentë përfitojnë nga paketa e mbështetjes financiare
Nga seanca e sotme në Kuvendin e Shqipërisë, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro kërkoi votimin e projektbuxhetit për arsimin, buxheti historik më i lartë ndonjëherë, ku rritjen më të madhe e përfiton Arsimi i Lartë.
“Ministria e Arsimit do të administrojë për vitin 2027 një buxhet prej 67,95 miliard lekësh, afërsisht 748 milion euro, me një rritje prej 4,8% krahasuar me buxhetin qe miratuam një vit më parë. Nëse e shohim sektorin e arsimit në tërësi, totali i vitit 2027 është 3,8 miliard lekë më shumë se buxheti fillestar i 2026-s”, tha ministrja Kumbaro duke theksuar se rritjen më të madhe e merr arsimi i lartë, ndërsa rritet mbështetja financiare për studentët dhe për herë të parë, kjo mbështetje zgjatet edhe në ciklin e studimeve Master.
“Arsimi i lartë merr rritjen më të madhe në vlerë absolute: 14,23 miliard lekë, afërsisht 157 milion euro, pra 1,25 miliard më shumë se në 2026, një rritje prej 9,6%. Bashkë me të ardhurat e vetë universiteteve publike, fondet totale arrijnë 17,5 miliard lekë ose 191 milionë euro.
Tarifat e shkollimit kanë mbetur të pandryshuara që nga viti 2018, dhe Pakti për Universitetet na angazhon t’i mbajmë në nivele të përballueshme. Edhe në tarifat që studentët paguajnë, nuk përfaqësojnë koston reale të një programi studimi. Aq sa paguajnë studentët, mesatarisht përfaqëson rreth 8,5% të tarifës reale të studimit, ndërsa buxheti i shtetit mbulon koston më të madhe prej 91,5%.
Nga ana tjetër, 1 në 2 studentë nga universitetet publike nuk paguajnë tarifë të plotë, nga pjesa që u takon për të paguar. Mbi 10 mijë studentë nuk paguajnë fare tarifë, ndërsa mbi 27 mijë studentë paguajnë gjysmë tarife nga ajo që i takon studentit për të paguar!
Në vitin 2027, me shtimin e buxhetit për arsimin e lartë, sigurohen rritja e bursës për studentët nga familjet në nevojë, e cila rritet nga 10.000 në 25.000 lekë në muaj, pra rreth 275 euro, dhe për herë të parë vijon edhe gjatë studimeve Master.
Kjo paketë mbështet mbi 11,500 studentë në tri kategori. 5.900 studentë nga familjet në nevojë marrin 25.000 lekë në muaj. 5.500 studentë me notë mesatare 9–10 marrin 10.000 lekë, dhe177 studentë të programeve me përparësi kombëtare marrin 50.000 lekë në muaj, me një ndryshim thelbësor sepse tanimë skema e mbështetjes financiare edhe për studentët e programeve prioritare, zgjerohet edhe në ciklin master” tha ministrja.
Edhe arsimi parauniversitar do të ketë një rritje prej 1 miliardë lekë më shumë, ku vëmendje merr arsimi gjithëpërfshirës dhe zgjerimi e financimi me 500 milionë lekë i programit “Pas Shkolle”.
“Një prej nismave më të rëndësishme lidhet me vendosjen e një mësuesi ndihmës për çdo fëmijë me aftësi ndryshe. E kemi pasur këtë raport 1 mësues ndihmës për 4 fëmijë, ndërsa në vitin 2027, e çojmë 1 mësues për 1 fëmijë. Dhe është një program shumë ambicioz, duke pasur parasysh se nga 4,500 nxënës me aftësi ndryshe që kemi pasur në sistemin parauniversitar, për këtë vit shkollor shifra është rritur në 6039 fëmijë me aftësi ndryshe. Programi “Pas shkolle” do të vijojë duke u zgjeruar edhe me dy orë në ditë, duke e shtuar kohën e qëndrimit të fëmijëve në shkollë maksimalisht deri në orën 17:00, por edhe duke ofruar module të reja”, tha ministrja.
Për sa i përket Kërkimit Shkencor, ministrja Kumbaro tha se është fusha me rritjen më të lartë në raport me vetveten. programi financohet me 2,27 miliard lekë, afërsisht 25 milion euro, me një rritje 28,2%. Investimet kapitale nga buxheti i shtetit pothuajse dyfishohen, nga 350 në 650 milion lekë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




