Deputeti socialist Erion Braçe ka ngritur një sërë shqetësimesh gjatë diskutimeve në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2027, duke kërkuar largimin nga qeveria të ministrave që rrezikojnë realizimin e buxhetit të shtetit. Kritikat e tij u përqendruan te mosrealizimi i shpenzimeve publike, mungesa e reformave në industri , përqendrimi i ekonomisë në pak sektorë, si dhe nevoja për ndryshime në sistemin e pensioneve dhe financimin e shëndetësisë. Nga foltorja e Kuvendit, Braçe e cilësoi të papranueshme situatën e përsëritur ndër vite, kur të ardhurat buxhetore realizohen, ndërsa shpenzimet e planifikuara nuk kryhen plotësisht.