Prokuroria e Durrësit ka kaluar në SPAK dosjen e vjedhjes së 69 milionë lekëve të reja, rreth 700 mijë euro, në filialin e Postës Shqiptare, pasi dyshon se pas ngjarjes mund të fshihet një grup i strukturuar kriminal.
Prokuroria e Durrësit ka shpallur moskompetencën dhe ia ka përcjellë çështjen Prokurorisë së Posaçme, ndërsa hetimet pritet të zgjerohen për të verifikuar nëse vjedhja është pjesë e një skeme më të gjerë kriminale dhe nëse janë përfshirë persona të tjerë.
Sipas informacioneve të raportuara nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, dyshohet se në skemë mund të jenë përfshirë edhe ish-zyrtarë që aktualisht gëzojnë imunitet parlamentar, çka e bën çështjen edhe më të ndjeshme.
Ndërkohë, Gjykata e Durrësit ka ndryshuar masën e sigurisë për ish-drejtoreshën e filialit, Elisabeta Mataj, nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”. Vendimi është marrë pas kërkesës së saj dhe mbrojtjes, e cila ka kundërshtuar pretendimin e prokurorisë se provat e administruara gjatë hetimit kanë rënduar pozitën e saj procedurale.
Mataj ndodhej në paraburgim që prej 18 korrikut dhe hetohet për vjedhjen në bashkëpunim, përmes shpërdorimit të detyrës, të 69 milionë lekëve, para të destinuara për qytetarët në degët e Postës Shqiptare në Shijak dhe Krujë.
Në të njëjtën çështje janë nën hetim edhe ish-shefja e financës, Valbona Duni, dhe arkëtarja Paola Dana, të cilat ndodhen gjithashtu në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Kalimi i dosjes në SPAK shënon një fazë të re të hetimit, me fokus në zbardhjen e plotë të mekanizmit të vjedhjes, identifikimin e personave të tjerë të mundshëm dhe verifikimin e dyshimeve për një grup të strukturuar kriminal.

