Islami mund ta tejkalojë krishterimin dhe të bëhet religjioni më i madh në botë deri në vitin 2035

Islami mund ta tejkalojë krishterimin dhe të bëhet feja më e madhe në botë deri në vitin 2035, sipas projeksioneve të reja të Qendrës Kërkimore Pew, të cilat tregojnë se popullsia myslimane po rritet me ritëm më të shpejtë se ajo e krishterë.
Sipas studimit, në vitin 2020 në botë kishte rreth 2.27 miliardë të krishterë dhe 2.02 miliardë myslimanë. Megjithatë, projeksionet parashikojnë se deri në vitin 2035 numri i myslimanëve do të arrijë në 2.57 miliardë, ndërsa ai i të krishterëve në 2.52 miliardë.
Një nga arsyet kryesore të këtij ndryshimi është shkalla më e lartë e lindshmërisë në mesin e myslimanëve. Sipas të dhënave të Pew, gratë myslimane kanë mesatarisht 3.1 fëmijë, krahasuar me 2.5 fëmijë te gratë e krishtera.
Demografi i Qendrës Kërkimore Pew, Conrad Hackett, theksoi se lindshmëria është faktori kryesor që ndikon në ndryshimin e përbërjes fetare të popullsisë botërore, ndërsa konvertimet dhe ndryshimet e përkatësisë fetare kanë ndikim më të vogël.

Projeksionet afatgjata tregojnë se deri në vitin 2070 numri i myslimanëve mund të kalojë 3.6 miliardë, ndërsa ai i të krishterëve pritet të jetë pak më pak se tre miliardë.
Studimi parashikon gjithashtu ndryshime të rëndësishme në shpërndarjen gjeografike të besimtarëve. Afrika subsahariane pritet të jetë rajoni me rritjen më të madhe të popullsisë së krishterë, ndërsa deri në vitin 2070 më shumë se gjysma e të krishterëve në botë mund të jetojnë në këtë pjesë të kontinentit afrikan.
Ndryshime priten edhe në Amerikën e Veriut. Në Shtetet e Bashkuara, ku të krishterët aktualisht përbëjnë rreth 62 për qind të popullsisë, kjo përqindje mund të bjerë nën 50 për qind deri në vitin 2065. Në Kanada, një ndryshim i tillë mund të ndodhë edhe më herët, deri në vitin 2030.
Pew vlerëson se popullsia e përgjithshme botërore do të rritet për rreth 29 për qind nga viti 2020 deri në vitin 2070, ndërsa numri i myslimanëve pritet të shënojë rritje dukshëm më të madhe sesa ai i të krishterëve.
Projeksionet janë ndërtuar duke marrë parasysh lindshmërinë, strukturën e moshës, migrimin dhe ndryshimet e përkatësisë fetare. /Telegrafi/






































