Ndryshe nga tre të bashkakuzuarit e tij, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu, të cilëve gjyqtari Christopher Gosnell u konfirmoi se koha e kaluar në paraburgim do t’u llogaritej në dënimin e shqiptuar, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk do të përfitojë nga kjo mundësi në rastin për pengim të drejtësisë.
Thaçit, të martën, iu shqiptua dënimi prej 17 muajsh burgim, që përkthehet në një vit e pesë muaj shtesë pas dënimit prej 25 vjetësh burgim, të shqiptuar më 16 shtator në rastin për krime lufte.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në një përgjigje për Albanian Post, kanë cituar paragrafin 59 të përmbledhjes së aktgjykimit, duke shpjeguar arsyetimin për këtë vendim.
Sipas Speciales, koha që Thaçi ka kaluar në paraburgim tashmë po i llogaritet në kuadër të dënimit të shkallës së parë për krime lufte.
“Koha që z. Thaçi ka kaluar në paraburgim tashmë po llogaritet si kohë e vuajtur në kuadër të dënimit të tij të shkallës së parë për krime lufte. Prandaj, kjo kohë nuk mund të llogaritet dy herë edhe për këtë dënim të veçantë, për të cilin gjyqtari ka vendosur që të ekzekutohet pas dënimit të parë”, thuhet në përgjigjen e Speciales.
Ndër të tjera, Specialja ka shtuar se kjo praktikë e shqiptimit të dënimeve nuk dallon shumë nga praktikat e gjykatave dhe tribunaleve të tjera.
Teksa është theksuar se Thaçi ka të drejtë të paraqesë ankesë ndaj aktgjykimit dhe dënimit në të dyja rastet.
Rasti për pengim të drejtësisë ndaj Thaçit dhe katër të bashkakuzuarve të tij lidhet me përpjekjet për të ndikuar te dëshmitarët e prokurorisë në procesin gjyqësor për krime lufte.
Sipas aktgjykimit, gjykata konstatoi se Thaçi kishte drejtuar dhe organizuar tri grupe, përmes të cilave synonte të ndikonte në dëshmitë e personave që pritej të dëshmonin kundër tij në procesin për krime lufte.
Gjatë vitit 2023, përmes personave që e vizitonin në qendrën e paraburgimit në Hagë, Thaçi kishte përcjellë udhëzime të hollësishme për dëshmitarët, përfshirë mënyrën se si duhej të përgjigjeshin dhe çfarë duhej të deklaronin para gjykatës, sipas vlerësimit të Speciales.
Përveç Thaçit, gjyqtari Gosnell dënoi edhe Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun me nga 12 muaj burgim, ndërsa Hajredin Kuçin me një muaj burgim me kusht, me periudhë prove prej një viti. Isni Kilaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Çfarë paraqiti Specialja në seancën e së martës?
Gjyqtari Gosnell deklaroi se më 2 korrik të 2023-ës, Fadil Fazliu e kishte vizituar Thaçin në paraburgim. Gjatë takimit, sipas Speciales, ata kishin diskutuar gjerësisht për dëshminë që pritej të jepte Rrustem Mustafa në procesin për krime lufte.
Thaçi e kishte përshkruar Mustafën si dëshmitar “vendimtar” dhe, sipas gjykatës, i kishte dhënë Fazliut një sërë porosish që duhej t’ia përcillte.
“Shkurt, shkurt. Mos filozofo”, ishte njëra prej porosive përmes së cilës Thaçi kërkonte që Mustafa t’u përgjigjej pyetjeve pa u zgjeruar. Gjykata deklaroi se Thaçi kishte këmbëngulur që Fazliu t’i shkruante porositë, nga frika se mund t’i harronte.
Rasti tjetër, sipas Speciales, lidhej me ish-drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, i cili e kishte vizituar Thaçin më 9 shtator dhe 7 tetor të 2023-ës.
Gjatë vizitës së parë, Thaçi kishte folur disa herë për dëshmitarin Bislim Zyrapi dhe kishte dhënë udhëzime lidhur me përmbajtjen e dëshmisë së tij.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, Thaçi kishte kërkuar që Zyrapi të mos i përziente çështjet e Qeverisë së Përkohshme me ato të Shërbimit Informativ, të mos i ngatërronte rolet e komandantëve dhe të mos e përshkruante organizimin e UÇK-së sipas modelit të ushtrive të Bosnjës dhe Jugosllavisë.
Rasti i tretë lidhej me Isni Kilajn, i cili e kishte vizituar Thaçin më 6 tetor të 2023-ës, së bashku me Fadil Kryeziun.
Sipas aktgjykimit, gjatë këtij takimi Thaçi u kishte zbuluar informacione konfidenciale për gjashtë dëshmitarë të Prokurorisë, përfshirë identitetin dhe deklaratat e mëparshme të një dëshmitari të mbrojtur.
Një pjesë tjetër e aktgjykimit lidhej me ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Gjykata tha se Kuçi i kishte dërguar një mesazh Rrustem Mustafës, pasi ky i fundit kishte marrë pjesë në një emision televiziv, ku kishte komentuar provat kundër Thaçit në procesin për krime lufte.
“Shoq, të përgëzoj për profesionalizëm, për idetë e qarta për vendin dhe luftën dhe për guximin. Të lumtë”, thuhej në mesazh.
Gjykata Speciale nuk arriti t’i vërtetojë të gjitha akuzat ndaj Thaçit dhe të bashkakuzuarve të tij, veçanërisht ato që lidheshin me bashkëpunimin për të ndikuar te dëshmitarët dhe përpjekjet për të penguar drejtësinë.
Në rastin e Isni Kilajt, gjykata nuk gjeti prova se ai kishte ndërmarrë hapa për të kontaktuar dëshmitarin e mbrojtur, ndonëse Thaçi i kishte dhënë udhëzime se si duhej të dëshmonte. Po ashtu, nuk u vërtetua përfshirja e Fadil Kryeziut në këto veprime.
Gjykata nuk provoi as ekzistimin e një marrëveshjeje mes Thaçit dhe ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, për t’u përcjellë udhëzime tre dëshmitarëve të Prokurorisë. Sipas saj, nuk ishte ndërmarrë asnjë hap thelbësor drejt realizimit të kësaj marrëveshjeje të pretenduar.
Po ashtu, nuk u gjetën prova të mjaftueshme se Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj dhe Isni Kilaj e kishin ndihmuar Thaçin në zbulimin e informacioneve konfidenciale për dëshmitarët e Prokurorisë, ndonëse gjykata konstatoi se vetë Thaçi kishte zbuluar informacione të tilla.
Pra, prokuroria nuk arriti të provonte veprimet konkrete të bashkëpunëtorëve të Thaçit në disa prej akuzave dhe as realizimin e marrëveshjeve të pretenduara.
Dënimet prej 12 muajsh të Smakajt dhe Fazliut u konsideruan të shlyera me kohën e kaluar në paraburgim. Ndërkaq, Thaçi u shpall fajtor për pengim të drejtësisë, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.