Komisioni Hetimor Parlamentar ka nisur seancën dëgjimore me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, në kuadër të hetimit për veprimet dhe mosveprimet institucionale që lidhen me vrasjen e Arlinda Zekajt.
Para kësaj, Komisioni kishte dëgjuar dëshminë e drejtoreshës së Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Pejë, Shpresa Lukaj, e cila u pyet rreth mënyrës se si institucionet e trajtuan këtë rast.
Të lidhura
None found
Gjatë dëshmisë së saj, Lukaj tha se menaxherja e çështjes së Arlinda Zekajt kishte kryer monitorime të rregullta, por pranoi njëkohësisht se dosja e rastit nuk përmbante një plan individual, ndonëse ligji e kërkon një gjë të tillë.
Ajo shtoi se punonjësit e QPS-së kanë vepruar me formularët që kishin në dispozicion dhe njoftoi se, pas konstatimeve të Komisionit, do të merren masat përkatëse.
Komisioni Hetimor Parlamentar po shqyrton përgjegjësitë e institucioneve në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, si dhe mënyrën e trajtimit të dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.





