Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu gjatë fjalës në Kuvend, tha se buxheti për drejtësinë parashikohet në 29,6 miliardë lekë, me një rritje prej 1,2% në raport me vitin 2026. Duke prezantuar objektivat për vitin e ardhshëm, Gogu u ndal te nevoja për të lehtësuar aksesin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, veçanërisht për kategoritë që kanë vështirësi financiare për të përballuar shërbimet ligjore.
“Buxheti nuk matet me miliarda, por me atë që ndryshon në jetën e qytetarëve. Sot u fol shumë për koston e jetesës. Ka edhe një kosto të fshehur, që është kostoja e drejtësisë. Është kostoja e atij avokatit që nuk mund ta paguash, janë vitet e pritjes në salla dhe për këtë adreson mbështetje buxheti”, deklaroi ministri.
Ai konfirmoi se duke nisur nga muaji dhjetor 2026 pesë zyrat e reja do të zgjerojnë shërbimin e ndihmës juridike falas, në Kamzë, Krujë, Librazhd, Rrëshen e Bulqizë, ndërsa qendra për edukimin dhe rehabilitimin e të miturve në Mëzez, pritet të ofrojë shërbime me kapacitet të plotë brenda vitit 2027.
“Shërbimi i provës”, theksoi Ministri, me 66% të fondeve më shumë se viti i kaluar, adreson mbështetje për mbikëqyrjen elektronike. Ndërsa 2366 familje që presin kompesimin për pronat informale, brenda vitit 2027 do të marrin pagesën e fundit.
Sa i përket investimeve, Gogu shpjegoi se volumi i tyre do të jetë më i ulët, pasi disa projekte të nisura në vitet e mëparshme po përfundojnë. Ministri iu referua edhe vlerësimeve të progresraportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, ku theksohet progresi në funksionimin e shtetit të së drejtës, përfundimi i procesit të vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe pavarësia dhe rezultatet e SPAK-ut.
