Pas gati katër dekadash nga vdekja tragjike e një vajze 4-vjeçare në Francë, prindërit e saj janë dënuar me burg për torturën dhe abuzimin që i shkaktuan të miturës.

Nëna, 72-vjeçarja Halima El Bakhti, është dënuar me 20 vite burg, pasi u shpall fajtore për torturë dhe akte barbare që shkaktuan vdekjen, pa qëllim për ta vrarë. Babai, 74-vjeçari Ahmed Touloub, u dënua me 15 vite burg si bashkëpunëtor në krim.

Inass Touloub u gjet e pajetë më 11 gusht 1987, përgjatë autostradës A10, në zonën e Suèvres, në Francën qendrore, me shenja të shumta dhune në trup, përfshirë kafshime njerëzore, kocka të thyera dhe djegie të shkaktuara me hekur. Për 30 vite me radhë identiteti i saj mbeti mister dhe ajo u njoh vetëm si “Martirja e Vogël e A10”, ndërsa u varros në një varr pa emër pranë vendit ku u gjet.

Zbulimi erdhi në vitin 2018, kur ADN-ja e njërit prej vëllezërve të saj, e analizuar në kuadër të një çështjeje tjetër, përputhej me atë të vajzës, duke çuar në identifikimin e saj dhe arrestimin e prindërve.

Gjatë procesit gjyqësor, prokurorja Anais Allio theksoi se “asnjë pjesë e trupit të Inass nuk ishte kursyer”, duke kujtuar tronditjen e shkaktuar nga fotografitë e autopsisë.

Vendimi u dha pas disa orësh diskutimesh nga trupi gjykues, ndërsa prindërit kanë 10 ditë kohë për ta apeluar atë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: