Emisioni i radhës i “Në Shtëpinë e Futbollit” në FSHF TV iu kushtua rezultateve pozitive të Kombëtareve shqiptare gjatë muajit nëntor, një periudhë mjaft e suksesshme për futbollin shqiptar, me arritje të rëndësishme në kompeticionet europiane.
Nën drejtimin e moderatores Lenida Halilaj, të ftuar në studio ishin gazetarët sportivë Vilma Masha dhe Ylli Aga, si edhe trajneri i Kombëtares U-19, Fatjon Tafaj.
Një hapësirë të veçantë në emision zuri Kombëtarja A, e cila e mbylli muajin nëntor në mënyrën më të mirë të mundshme, duke regjistruar dy fitore ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë.
Kuqezinjtë nuk pësuan asnjë gol në këto dy përballje, siguruan vendin e parë në grup dhe arritën ngjitjen në Ligën B të UEFA Nations League. Të ftuarit analizuan paraqitjet e skuadrës, ecurinë pozitive dhe rëndësinë e këtij suksesi për futbollin shqiptar.
Në fokus ishte edhe Kombëtarja U-21, që zhvilloi dy ndeshje miqësore në muajin nëntor, duke fituar 3-1 ndaj Luksemburgut dhe barazuar pa gola me Spanjën. U diskutuan paraqitjet e skuadrës së Alban Bushit dhe vlerësimi i këtyre dy testeve në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Europian U-21 2027. Gjithashtu, u ndalën te përcaktimi i 16 ekipeve finaliste të turneut, ndërsa shorti për fazën finale do të hidhet më 26 nëntor, në orën 18:30, në Beograd.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte suksesi i Kombëtares U-19, e cila zhvilloi një raund kualifikues spektakolar, duke regjistruar dy fitore me rezultatin 4-0 dhe siguruar kualifikimin në raundin e tretë të kualifikueseve të Kampionatit Europian U-19, në Ligën A. Trajneri Fatjon Tafaj ndau në studio vlerësimet për paraqitjet e skuadrës dhe objektivat e mëtejshëm, teksa Shqipëria ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt ëndrrës europiane.
Vëmendje mori edhe Kombëtarja U-17, e cila siguroi kualifikimin në raundin e dytë të kualifikueseve të Kampionatit Europian U-17, në Ligën A. Në muajin mars, kuqezinjtë do të kenë mundësinë të luajnë për një vend në fazën finale të këtij kompeticioni.
Në emision u diskutua gjithashtu projektligji nga Qeveria për sponsorizimet në art, kulturë dhe sport. Të ftuarit analizuan disa prej çështjeve që lidhen me këtë nismë, përfshirë tavanin prej 20 milionë eurosh, centralizimin e procesit të sponsorizimit, mungesën e një ndarjeje të qartë të fondeve për sportin dhe futbollin, si edhe shqetësimet për mënyrën se si do të funksionojë skema e re dhe rrezikun që ajo të kthehet në një buxhet të dytë shtetëror.
Në fund, u prezantua edhe aktiviteti promovues i FSHF-së për Kampionatin Europian U-21 2027, në kuadër të Maratonës së Tiranës, ku u përcoll mesazhi për eventin e madh europian që Shqipëria do të mirëpresë në qershorin e vitit të ardhshëm.
“Në Shtëpinë e Futbollit” sjell çdo javë në FSHF TV zhvillimet kryesore të futbollit shqiptar, me fokus te Kombëtarja, ekipet kombëtare të moshave, kampionatet vendase dhe projektet që kontribuojnë në zhvillimin dhe promovimin e futbollit në Shqipëri.







