“Armëpushimi në Gaza drejt dështimit”, Bordi i Paqes kritikon Izraelin dhe Hamasin për moszbatimin e marrëveshjes
Armëpushimi në Gaza rrezikon të shembet, ndërsa Izraeli dhe Hamasi akuzohen se nuk po përmbushin angazhimet për ndalimin e luftimeve. Paralajmërimi vjen nga Bordi i Paqes, i ngritur nga presidenti amerikan Donald Trump për të mbikëqyrur planin e përfundimit të luftës, në një raport të siguruar nga agjencia Reuters.
Dokumenti prej 12 faqesh, i dyti që i paraqitet Këshillit të Sigurimit të OKB-së që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit, vë në dukje hendekun mes marrëveshjes dhe realitetit në terren. Sipas raportit, ndonëse përplasjet e mëdha janë ndalur, sulmet izraelite dhe ato të luftëtarëve të Hamasit vijojnë, duke penguar zbatimin e planit të paqes.
Ky plan parashikon çarmatimin e Hamasit, tërheqjen e trupave izraelite dhe nisjen e rindërtimit të territorit palestinez. Hamasi kishte pranuar dorëzimin e armëve dhe kalimin e administrimit të Gazës te një autoritet civil i përkohshëm, por Izraeli këmbëngul se nuk do të tërhiqet pa çmontimin e plotë të organizatës.
Raporti kritikon gjithashtu mungesën e përparimit për krijimin e një force policore palestineze dhe kufizimet izraelite për hyrjen e furnizimeve e pajisjeve, që po pengojnë edhe përgatitjet për përballimin e përmbytjeve. Ndërkohë, më shumë se dy milionë palestinezë jetojnë në kushte të rënda, kryesisht në tenda dhe ndërtesa të dëmtuara, ndërsa reshjet e dendura kanë përmbytur kampet e të zhvendosurve.
Zyrtari i Hamasit, Basem Naim, e ka hedhur poshtë raportin, duke e cilësuar si dezinformim dhe duke akuzuar Bordin se po i jep Izraelit mundësi të shmangë detyrimet e marrëveshjes. Në të njëjtën linjë me qëndrimin e qeverisë izraelite, ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se trupat nuk do të largohen nga Gaza pa çarmatimin e Hamasit dhe çmilitarizimin e territorit, ndërsa raporti paralajmëron se pa përmirësime konkrete për popullsinë, armëpushimi nuk mund të mbahet pafundësisht.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




