Duka i Sussex-it ka bërë të ditur se është i përgatitur të rikthehet në radhët e ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar, nëse Britania do të gjendej e përfshirë në një përballje të armatosur me Rusinë.
Në një vizitë që nuk ishte paralajmëruar më parë në qytetin ukrainas Lviv, princi Harry u shpreh se do të ishte i gatshëm të shërbente përsëri në forcat e armatosura, në rast se do të lindte një nevojë e tillë.
Të lidhura
None found
Në një intervistë për të përditshmen britanike “The Telegraph”, ai tha se nëse do t’i kërkohej të rikthehej në shërbim dhe situata do ta kërkonte, ai do të ishte plotësisht i përkushtuar për t’i shërbyer vendit të tij, krah për krah me veteranët dhe personelin tjetër ushtarak, sipas raportimeve të Daily Mail.
Gjatë bisedës, princi nënvizoi se Ukraina ka shumë për t’i mësuar pjesës tjetër të botës, ndërsa shtoi se të gjithë duhet të ndihen të shqetësuar për ecurinë e situatës së sigurisë.
Ai nuk kurseu kritikat as ndaj mënyrës se si presidenti amerikan Donald Trump e ka trajtuar luftën në Ukrainë, duke theksuar se kjo qasje nuk përfaqëson domosdoshmërisht mendimin e shumicës së qytetarëve amerikanë.
Princi shprehu gjithashtu shqetësimin për një ndarje të mundshme brenda Evropës. Sipas tij, kontinenti tashmë e ka kuptuar rrezikun që përbën Vladimir Putin, por mbetet mundësia që shtetet evropiane të përçahen mes tyre.







