Përfaqësimi i lartë i grave dhe vajzave në administratën e Ramës është një nga produktet më të reklamuara të marketingut qeveritar. Gjinia reklamohet pothuajse si certifikatë pastërtie me logjikën: më shumë gra në pushtet, më shumë përgjegjshmëri, më shumë ndershmëri. Formula mund të jetë e bukur për fjalimet e fushatës, por dosjet që shkojnë në SPAK po tregojnë se “rilindasit” nuk pyesin shumë për burrë a grua, kur vjen puna për të vjedhur.
Fuqia korruptuese e sistemit që drejtohet nga Rama nuk bën dallime as përpara gjinisë së personit që firmos dhe rasti më i fundit që ngre këtë pikëpyetje është dosja e vjedhjes së rreth 700 mijë eurove në Postën e Durrësit.
Çështja sapo ka kaluar në SPAK, sepse në hetimet e prokurorisë së Durrësit ka dalë emri i një deputeteje tjetër të Partisë Socialiste, Etleva Budini.
Budini e ka drejtuar filialin e Postës së Durrësit përpara se të kandidonte në zgjedhjet e vitit 2025, por dyshimet e prokurorëve janë se vjedhja e parave të pensioneve ka nisur që në atë periudhë. Për këtë arsye ka lindur nevoja e marrjes në pyetje të deputetes së Partisë Socialiste dhe kjo është një kompetencë e SPAK.

Budini hyri në Kuvend nga lista e hapur e PS-së në Durrës. Në listën fillestare ishte e dyta, ndërsa në rezultatin përfundimtar mori 4 904 vota. Sipas votave ishte e pesta mes kandidatëve të listës së hapur të socialistëve, por zbatimi i kriterit gjinor e vendosi të tretën në renditjen fituese, duke i siguruar mandatin.
Drejtuesja e kaluar e postës së Durrësit, Elizabeta Mataj ka mohuar gjithnjë vjedhjen e rreth 700 mijë eurove që nuk gjenden më në arkë.
Hetimi përfshin dyshimet për përvetësimin e fondeve të destinuara për pensionet në Krujë dhe Shijak. Ish-drejtoresha Elisabeta Mataj, ish-shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana janë emrat e bërë publikë që në fazën e parë të çështjes.
Gratë e pushtetit me probleme me ligjin

Emri i Budinit del në hetime pak ditë pas paraqitjes së deputetes Sara Mila në SPAK. Deputetja e Elbasanit deklaroi se ishte pyetur si person me dijeni dhe mohoi se ishte nën hetim. Ajo ishte thirrur për skemën e abuzimit me listën e personave që trajtoheshin me ndihmë sociale në Elbasan, që gjatë fushatës së zgjedhjeve të 2025 ishte trefishuar.

Edhe Olta Xhaçka është paraqitur më parë në Prokurorinë e Posaçme, për disa çështje që kanë të bëjnë me veprimet e saj gjatë kohës kur ishte Ministre e Mbrojtjes dhe së fundmi për verifikimin e pasurisë.

Akoma më i rëndë ishte skandali ku u përfshi ish-drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni që u kap në përgjime duke ndihmuar Ergys Agasin t’i shpëtonte policisë. Edhe Hyseni ishte një emërim i drejtpërdrejtë i kryeministrit Rama në atë pozicion. Ajo u zëvëndësua në SHISH nga një tjetër grua, Esmeralda Hasani.

Çështja e Belinda Ballukut kaloi së fundmi në gjykatë. Ajo akuzohet nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera, për korrupsion dhe pastrim parash. Për të mbrojtur Ballukun, Rama sakrifikoi narrativën e reformës në drejtësi si një histori suksesi, duke dalë hapur kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres.
Preferenca e Ramës për të punuar me gratë

Rama e ka promovuar gjithnjë idenë për të pasur bashkëpuntore gra në qeverisje. Në fushatën e zgjedhjeve të majit 2025 i quante “çyrykë” burrat që mendonin se i kishin gratë nën vete, duke e shoqëruar mesazhin për barazinë me një apel të drejtpërdrejtë ndaj votueseve.
“Nuk e thotë kot ajo fjala e famshme “Pas një burri të suksesshëm, qëndron një grua e mençur dhe e forte”. Nuk diskutohet. Pse Shqipëria është sot më e mirë? Se ka më shumë gra në vendimmarrje” shprehej Rama në fushatë.
Sado që barazia gjinore në përfaqësim është një arritje, ajo nuk mund të jetë alibia për një qeverisje më të mirë.
Emrat e grave socialiste që dalin në afera korrupsioni tregon se promovimi i tyre është thjesht një manovër propagandistike, një detaj hileqar për të fshehur abuzimin dhe grabitjen e parave të taksave.
Të jesh i kënaqur me përfaqësimin e lartë të grave dhe vajzave në qeverisjen socialiste, është njësoj sikur t’u thuash pensionistëve të Durrësit që nuk duhet të ndjehen keq me vjedhjen, sepse paratë e pensioneve të tyre avulluan nga dora e një gruaje dhe jo nga dora e një burri./Lapsi.al












