“Kërcënimet nga Irani janë rritur ndjeshëm”, paralajmëron drejtori i Inteligjencës Kombëtare në SHBA: Rrezik ndaj amerikanëve Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara kanë nominuar zyrtarisht Hakeem Jeffries për kryetar të këtij institucioni, duke i hapur rrugën për t’u bërë afroamerikani i parë që drejton Dhomën e Përfaqësuesve.
Zgjedhja e kryetarit të ri pritet të zhvillohet më 3 janar, me fillimin e mandatit të ri të Kongresit, kur demokratët do të marrin shumicën në këtë dhomë.
Jeffries pritet të marrë drejtimin e një prej institucioneve më të rëndësishme të pushtetit amerikan. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve renditet i dyti në linjën e pasardhësisë presidenciale, pas zëvendëspresidentit. Pas votimit, ai e cilësoi nominimin si një nder të madh dhe një privilegj të veçantë.
Jeffries, i cili përfaqëson një zonë elektorale në Nju Jork, u rizgjodh në krye të grupit parlamentar demokrat me 251 vota pro dhe 11 kundër, gjatë një votimi me dyer të mbyllura. Ai mban postin e liderit të pakicës që prej vitit 2023.
Megjithëse mori mbështetje të gjerë, disa deputetë të rinj nga krahu progresist i partisë shprehën rezerva, duke argumentuar se rezultati i zgjedhjeve të fundit tregon se votuesit kërkojnë ndryshime në drejtimin e demokratëve.
Shtatë ligjvënës të rinj, mes tyre Darializa Avila Chevalier dhe Claire Valdez nga Nju Jorku, deklaruan se partia duhet të reflektojë më mirë kërkesat e qytetarëve.
“Edhe pse kemi parë përparim domethënës, mbetet ende punë për t’u bërë për të garantuar që drejtimi që do të marrë partia jonë në Kongresin e ardhshëm të pasqyrojë atë që zgjedhësit kërkojnë nga udhëheqja jonë”, thuhej në deklaratën e tyre.
Demokratët po përgatiten për përballje politike me Shtëpinë e Bardhë, pasi të marrin zyrtarisht kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.
Presidenti Donald Trump ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim me demokratët në disa çështje, por ka paralajmëruar gjithashtu se do të përdorë të drejtën e vetos për të bllokuar ligjet me të cilat nuk pajtohet.
Kjo mund ta vështirësojë realizimin e premtimeve elektorale të demokratëve, veçanërisht për uljen e kostos së jetesës dhe miratimin e reformave të tjera. Në një konferencë për mediat pas nominimit, Jeffries premtoi se demokratët do të luftojnë për uljen e çmimeve të produkteve ushqimore, karburanteve dhe banesave.
Ai u zotua gjithashtu se do të punojë për ta bërë kujdesin shëndetësor më të përballueshëm për çdo amerikan. Përveç drejtimit të punës legjislative, Jeffries do të ketë përgjegjësinë të menaxhojë edhe hetimet që demokratët synojnë të ndërmarrin ndaj presidentit Donald Trump, familjarëve të tij dhe anëtarëve të kabinetit.
Rikthimi i kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve u jep demokratëve kompetenca më të mëdha mbikëqyrëse dhe mundësinë për të nisur hetime parlamentare.
Ndërkohë, krahu progresist i partisë ka kërkuar një agjendë më të orientuar drejt interesave të punonjësve dhe familjeve amerikane, ndërsa përplasjet e brendshme pritet të përqendrohen edhe te mbështetja amerikane për Izraelin dhe kostot e kujdesit shëndetësor.
Krahas Jeffries, demokratët kanë zgjedhur edhe drejtuesit e tjerë të grupit parlamentar: Katherine Clark nga Massachusetts si lidere të shumicës, Pete Aguilar nga Kalifornia si përgjegjës për disiplinën dhe koordinimin e votave, si dhe Joe Neguse nga Colorado si kryetar ndihmës.
Me marrjen e drejtimit të Dhomës së Përfaqësuesve, demokratët pritet të kenë një rol të rëndësishëm në kontrollin dhe mbikëqyrjen e administratës Trump.
Top Channel