Carlos Forbs ka një histori të veçantë, të ndërtuar mbi talentin, sakrificën dhe një rikthim të jashtëzakonshëm. I lindur më 19 mars 2004 në Sintra, pranë Lisbonës, në një familje me origjinë nga Guinea, ai nisi të luante futsall dhe futboll në ekipin NADC Sintra.
Talenti i tij u evidentua që në moshën 9-vjeçare, kur u afrua nga Sporting Lisbona, akademia që kishte formuar edhe idhullin e tij, Cristiano Ronaldon. Një vit më vonë, familja u zhvendos në Angli dhe Forbs iu bashkua akademisë së Manchester Cityt. Edhe pse nuk arriti të debutonte me ekipin e parë të Pep Guardiolës, ai bëri bujë në skuadrat e moshave. Sezoni 2022/23 ishte shpërthyes për të: 29 gola dhe 18 asistime në 33 ndeshje me ekipin U-21, duke ndihmuar Cityn të fitonte Premier League 2. Përveçse u shpall golashënuesi më i mirë, ai mori edhe çmimin e lojtarit më të mirë të kampionatit. Në të njëjtën periudhë, spikati edhe në UEFA Youth League dhe arriti finalen e Europianit U-19 me Portugalinë.
Në verën e vitit 2023, Ajax vendosi të investonte 14 milionë euro, plus 5 milionë të tjera në formë bonusesh, për ta transferuar në Amsterdam. Në Holandë, futbollisti bëri edhe një ndryshim personal, duke lënë mbiemrin e babait, Borges, për të mbajtur atë të nënës, Forbs, duke realizuar një dëshirë të veçantë.
Megjithatë, aventura holandeze nuk shkoi sipas pritshmërive. Në një periudhë të vështirë për Ajaxin, sulmuesi nuk arriti të gjente vazhdimësinë e nevojshme. As huazimi te Wolverhampton në sezonin 2024/25 nuk solli kthesën e shumëpritur. Kur u rikthye në Amsterdam në verën e vitit 2025, e priste një tjetër goditje: sipas raportimeve të gazetës portugeze Diário de Notícias, drejtuesit e klubit e njoftuan përmes WhatsApp-it se nuk bënte më pjesë në projektin e tyre.
Club Brugge i dha një shans të ri, Forbs rilindi në Belgjikë
Kur dukej se karriera e tij po merrte një drejtim të pasigurt, në skenë doli Club Brugge. Klubi belg pagoi rreth 6 milionë euro për kartonin e tij dhe i ofroi një kontratë deri në vitin 2029.
Në Belgjikë, Forbs gjeti hapësirën dhe besimin që i kishin munguar. Shpejtësia, driblimet dhe aftësia për të krijuar rrezik në krahë u kthyen në armët e tij më të forta. Sezonin 2025/26 e mbylli me 51 paraqitje, 11 gola dhe 11 asistime, ndërsa në fillimin e sezonit pasardhës konfirmoi formën e mirë me 3 gola dhe 5 asistime në kampionat, si dhe 2 gola e 2 asistime në Champions League.
Paraqitjet e tij i hapën edhe dyert e kombëtares portugeze. Debutimi erdhi më 16 nëntor 2025, në fitoren 9-1 ndaj Armenisë, rezultat që vulosi kualifikimin e Portugalisë për Kupën e Botës 2026. Por momenti që do ta vendoste përfundimisht në qendër të vëmendjes erdhi një vit më vonë.
Numri 7 i Ronaldos, një trashëgimi që nis me gol
Për më shumë se dy dekada, fanella me numrin 7 e Portugalisë kishte vetëm një pronar në imagjinatën e tifozëve: Cristiano Ronaldon. Shifrat e tij me kombëtaren, 234 ndeshje dhe 146 gola, e kthyen këtë numër në një simbol të futbollit portugez. Pas largimit të CR7 nga kombëtarja, përgjegjësia për ta mbajtur atë fanellë i kaloi Carlos Forbs. Madje, Federata Portugeze e Futbollit ndërhyri edhe në dizajnin e numrit, duke përfshirë një element grafik në homazh të legjendës që e kishte mbajtur për kaq shumë vite.
Mbrëmjen e 17 nëntorit, në Cardiff, në përballjen me Uellsin, Forbs mori një tjetër rol të rëndësishëm. Portugalia vinte pas humbjes 4-1 ndaj Danimarkës dhe kishte nevojë për një fitore për të siguruar vendin e parë në grup dhe kualifikimin në çerekfinale të Nations League. Në një ndeshje të luftuar, ku rezultati kishte shkuar 2-2, trajneri Jorge Jesus vendosi ta aktivizonte Forbs në minutën e 59-të, duke i kërkuar të shfrytëzonte shpejtësinë dhe aftësitë e tij në krahun e djathtë.
Përgjigjja erdhi vetëm 11 minuta më vonë. Në minutën e 70-të, pas një ndërhyrjeje të gabuar me kokë nga Cabango, Forbs përfitoi nga topi, shpërtheu në krahun e djathtë, hyri në zonë, kaloi Ben Davies dhe me të majtën dërgoi topin në këndin e largët të portës.
Një gol spektakolar, por mbi të gjitha vendimtar. Ishte rrjeta e tij e parë me kombëtaren e të rriturve, në paraqitjen e tretë, dhe i dha Portugalisë fitoren 3-2. Një sukses që erdhi edhe në një fund dramatik, pasi portugezët duhej të rezistonin me një lojtar më pak pas përjashtimit të Pedro Netos.
Pas ndeshjes, Forbs nuk e fshehu krenarinë për fanellën që tashmë mban mbi shpinë.
“Është një numër i veçantë dhe i bekuar. Jam shumë krenar që e përfaqësoj dhe shpresoj të vazhdoj ta vesh e të shënoj shumë gola”, u shpreh ai.
I pyetur për krahasimet me Ronaldon dhe nofkën “CF7”, që është bërë virale në rrjetet sociale, sulmuesi u tregua i matur, duke theksuar se bëhet fjalë më shumë për një shaka dhe se objektivi i tij është të vazhdojë të punojë fort për Club Brugge dhe Portugalinë.
Sigurisht, askush nuk mund të zëvendësojë Cristiano Ronaldon brenda një nate. Por Carlos Forbs ka arritur diçka që pak mund ta imagjinonin vetëm një vit më parë: nga një futbollist i padëshiruar nga Ajax, i njoftuar përmes një mesazhi në WhatsApp se duhej të largohej, në pronarin e ri të fanellës më ikonike të Portugalisë. Dhe mënyra më e mirë për të nisur këtë kapitull ishte pikërisht me një gol.