Një tjetër vizitë nga mjekë të burgut dhe të spitalit memorial të Fierit, rikonfirmoi nevojën për një ndërhyrje kirurgjikale që kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj duhet të kryejë, pasi këmba e thyer kur ishte në paraburgimin e Durrësit, nuk është ngjitur.

Avokati Plarent Ndreca, thotë se pas 2 javësh, më në fund siguroi edhe grafinë dhe rezonancën e këmbës, të kryer më herët sipas të cilave një mjek turk te Memoriali në Fier kishte rekomanduar gjithashtu nevojën e një operacioni.

Këto dokumente sipas Ndrecës do i vihen në dispozicion një mjeku specialist të zgjedhur nga Veliaj, që do të përcaktojë trajtimin e mëvonshëm. Për këtë, Ndreca thotë se kryebashkiaku ka nevojë për leje që të kryejë një konsultë në një spital privat në Tiranë më 20 nëntor.

Gjatë kohës që ndërhyrja nuk është kryer, Ndreca thotë se Veliaj nuk ka marrë asnjë trajtim tjetër për këmbën, përveç qetësuesve dhe paralelisht kërkon të mbahet përgjegjësi për kohën e humbur që sipas tij mund të ketë përkeqësuar gjendjen shëndetësore të kryebashkiakut.

Reagimi i plotë i avokatit Plarent Ndreca:

Pas dy javësh kërkesash të vazhdueshme për të siguruar dokumentacionin mjekësor të Erion Veliajt, vetëm sot Spitali Memorial ka vënë zyrtarisht në dispozicion grafinë dhe rezonancën magnetike të këmbës së tij.

Po sot, një grup mjekësh nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Spitali Memorial kanë ekzaminuar Veliajn, duke arritur në të njëjtin përfundim me mjekun turk, i cili rreth dy javë më parë kishte rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale.

Pra, u deshën dy javë për të konfirmuar atë që ishte konstatuar që në fillim: Veliaj kishte nevojë për operacion!

Gjatë këtyre dy javëve, ndërhyrja kirurgjikale nuk është kryer dhe, përveç qetësuesve të dhimbjes, Veliaj nuk ka marrë trajtim tjetër për këmbën. Ndërkohë, mbrojtjes i është mohuar në praktikë aksesi në dokumentacionin e plotë mjekësor, pavarësisht kërkesave të përsëritura.

Dy javë të humbura për një këmbë që kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale!

Kush mban përgjegjësi për këtë vonesë? A ka sjellë ajo përkeqësim të gjendjes së këmbës dhe kush do të përgjigjet për pasojat e mundshme?

Privimi nga liria nuk mund të nënkuptojë privim nga kujdesi shëndetësor në kohën e duhur.