E mërkurë, 18 Nëntor 2026 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

“Armëpushimi në Gaza rrezikon të shembet”/ Bordi i Paqes paralajmëron për dështimin e marrëveshjes mes Izraelit dhe Hamasit

Armëpushimi në Gaza rrezikon të shembet, ndërsa Izraeli dhe Hamasi akuzohen se nuk po përmbushin angazhimet për ndalimin e luftimeve. Paralajmërimi vjen nga Bordi i Paqes, i ngritur nga presidenti amerikan Donald Trump për të mbikëqyrur planin e përfundimit të luftës, në një raport të siguruar nga agjencia Reuters.

Dokumenti prej 12 faqesh, i dyti që i paraqitet Këshillit të Sigurimit të OKB-së që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit, vë në dukje hendekun mes marrëveshjes dhe realitetit në terren. Sipas raportit, ndonëse përplasjet e mëdha janë ndalur, sulmet izraelite dhe ato të luftëtarëve të Hamasit vijojnë, duke penguar zbatimin e planit të paqes.

Ky plan parashikon çarmatimin e Hamasit, tërheqjen e trupave izraelite dhe nisjen e rindërtimit të territorit palestinez. Hamasi kishte pranuar dorëzimin e armëve dhe kalimin e administrimit të Gazës te një autoritet civil i përkohshëm, por Izraeli këmbëngul se nuk do të tërhiqet pa çmontimin e plotë të organizatës.

Raporti kritikon gjithashtu mungesën e përparimit për krijimin e një force policore palestineze dhe kufizimet izraelite për hyrjen e furnizimeve e pajisjeve, që po pengojnë edhe përgatitjet për përballimin e përmbytjeve.

Ndërkohë, më shumë se dy milionë palestinezë jetojnë në kushte të rënda, kryesisht në tenda dhe ndërtesa të dëmtuara, ndërsa reshjet e dendura kanë përmbytur kampet e të zhvendosurve.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.