“Duhet të ndërtojmë ura bashkëpunimi”/ Samiti APEC, Xi Jinping: Duhet të punojmë në mënyrë të qëndrueshme

18/11/2026 19:54

Sytë e gjithë botës janë kthyer nga Shenzheni i Kinës, aty ku po zhvillohet një prej ngjarjeve më të rëndësishme gjeopolitike të dekadave të fundit.

Samiti i 33-të i Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) po cilësohet si një samit historik, ku tre liderët më të fuqishëm të globit, presidenti amerikan, Donald Trump, shefi i Kremlinit, Vladimir Putin, dhe homologu kinez, Xi Jinping, shtrënguan duart dhe u ulën në të njëjtën tryezë për të  riformatuar ekuilibrat e sigurisë, tregtisë dhe rendit botëror.

Samiti u hap nga lideri kinez, Xi Jinping, i cili i bëri thirrje gjithë botës për bashkim. “Duhet të ndërtojmë ura të hapjes dhe bashkëpunimit”, tha Xi, ndërsa shprehu gatishmërinë e Kinës për të punuar me të gjitha palët.

“Duhet të punojmë në mënyrë të qëndrueshme drejt një Zone të Tregtisë së Lirë të Azi-Paqësorit, të ndërtojmë një rrjet ndërlidhjeje shumëdimensionale, të rrisim bashkëpunimin në fusha të tilla si transformimi digjital i tregtisë, tregtia elektronike ndërkufitare dhe doganat inteligjente”.

Në podiumin e samitit u ngjit më pas presidenti rus, Vladimir Putin, i cili nga Shenzheni i Kinës shënjestroi Evropën.

“Bota po kalon një zhvendosje tektonike, ku rajoni i Azi-Paqësorit po bëhet qendra e re e ekonomisë globale. Ndërkohë, ish-hegjemonët po përpiqen të frenojnë konkurrentët në rritje, por Evropa ndodhet në mes të një rënieje poshtëruese, duke humbur kapacitetin e saj industrial dhe konkurrueshmërinë, për shkak të refuzimit të burimeve energjetike ruse dhe dështimit për t’u përshtatur me realitetet e reja ekonomike. Sanksionet perëndimore kanë dështuar”.

Gjatë ditës së parë të punimeve të samitit, diplomacia botërore prodhoi pamje dhe zhvillime të paprecedenta. Presidenti Xi Jinping theu protokollin dhe bëri një gjest të rrallë diplomatik, duke pritur personalisht në pistën e aeroportit homologun amerikan, Donald Trump.

Ky shtrëngim duarsh i tre liderëve botërorë përpara kamerave të të gjithë botës ishte pamja më historike nga Shenzheni, ndërsa Trump, Putin e Xi shkëmbyen dhe një bisedë të shkurtër në një atmosferë miqësore.

Tashmë, vëmendja kryesore zhvendoset te sesionet e së enjtes, ku pritet fjalimi i Donald Trump dhe takimi historik trepalësh me Xi Jinping dhe Vladimir Putin, një takim që Kremlini ka bërë të ditur se do të zgjasë jo më shumë se një orë, por që pritet të ketë peshë vendimtare për luftën në Ukrainë, çarmatimin bërthamor dhe të ardhmen e tregtisë globale.

Top Channel