Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë në Parlament, deputetja e PS-së Milva Ekonomi, ka komentuar projektbuxhetin e vitit 2027, duke e cilësuar atë si buxhetin më të madh historik, me një vlerë prej 10 miliardë eurosh. Ajo se për pensionistët janë parashikuar 24 miliardë lekë më shumë, ndërsa foli edhe për rritjen e bonusit dhe objektivin që pensioni mesatar i plotë urban të arrijë në 40 mijë lekë në muaj.
”Ky është buxheti më i madh historik, është 10 miliardë euro, dhe ky buxhet historik vjen si i tillë vetëm nga zgjerimi i ekonomisë në Shqipëri. Ky zgjerim i ekonomisë në fakt do të shkojë më shumë për familjet shqiptare, sepse në qendër të këtij buxheti janë familjet shqiptare. Është rritja e sipërmarrjes, nxitja për më shumë investime. Gjithashtu në këtë projektbuxhet është edhe qëndrueshmëria fiskale si një garanci për të siguruar që çdo vendim që merret për më shumë buxhet tek familjet të garantohet me të dhënat makroekonomike dhe fiskale për një qëndrueshmëri të ecurisë dhe të rritjes ekonomike të vendit.
Një tjetër fakt që dua t’i them opozitës është që, po të shikojnë edhe të dhënat që botohen nga Ministria e Financave, shpenzimet realizohen në masën 90–92% të paktën në tre vitet e fundit. Dhe gjithashtu ka një shifër tjetër që tregon që të ardhurat që realizohen nga rritja ekonomike vijnë sepse konkurrenca në Shqipëri është më e ndershme. Të dhënat e Agjencisë së Prokurimit Publik tregojnë që numri i kontratave që lidhen me negocim pa shpallje ka rënë nga 31% në 2.4% dhe numri i bizneseve që marrin pjesë në gara është shumë i lartë, më i lartë se mesatarja e Ballkanit, shifër që tregon shumë mirë edhe vrojtimin që bën SIGMA për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Për pensionistët janë 24 miliardë lekë më shumë, nga 11.6 miliardë lekë më shumë se vitin e kaluar. Pra ai angazhim që kemi marrë se do të dyfishojmë bonusin çdo vit është realitet. 4 miliardë lekë janë për indeksimin e pensioneve që bëhet çdo pranverë mbasi llogaritet inflacioni i çmimeve nga INSTAT-i dhe Banka e Shqipërisë, dhe 20 miliardë lekë janë për të rritur bonusin e pensionistëve me angazhimin që kemi marrë që pensioni mesatar i plotë urban të shkojë në 40.000 lekë të reja në muaj për çdo pensionist. Kështu edhe të gjitha pensionet e tjera, i pjesshmi urban, pensioni rural, pensioni i invaliditetit dhe ai i personave me aftësi ndryshe, do të rriten në mënyrë të vazhdueshme, dhe këtë vit kjo mbështetje është dy herë më e lartë se viti i kaluar.
Ka investime që kanë nisur më parë dhe do të vazhdojnë, por nga ana tjetër ky buxhet çon më shumë para në shëndetësi, sepse ndërton më shumë spitale dhe qendra shëndetësore dhe në arsim. Tek arsimi, përveç ndërtimit të shkollave, ka një projekt të ri për detyrat e shtëpisë dhe mësimin pas shkolle që i jep plot 500 milionë lekë këtij programi, duke u dhënë më shumë mundësi prindërve dhe fëmijëve. Nga ana tjetër ka investime në bujqësi për skemat mbështetëse për fermerët, si dhe për kullimin e vaditjen për shkak të sfidave meteorologjike.
Po ashtu projekti nxit inovacionin dhe ekosistemin e start-up-eve, jep vëmendje për mbrojtjen, drejtësinë dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm me qëllim që të arrijmë rritjen e GDP-së në 4% deri në vitin 2027. Dua të shtoj edhe një gjë të fundit: zgjerimi i ekonomisë ka bërë që Shqipëria sot të renditet e treta në rajon për nga PBB-ja, duke kapërcyer dy shkallë nga e pesta ku ishte krahasuar me vendet e rajonit, sepse rritja dhe siguria financiare kanë qenë të qëndrueshme”,-tha në ”Vizion Plus”.
