EKONOMI

Ndryshon ligji për sigurimin e makinave/ Më pak burokraci, më shumë para në xhep dhe dëmshpërblime brenda 14 ditësh

20:20 - 18.11.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Për çdo drejtues automjeti, pasagjer apo këmbësor në Shqipëri, sigurimi i detyrueshëm i makinës (TPL) ka qenë shpesh i lidhur me dy shqetësime kryesore: koston e policës dhe vonesat e gjata për të marrë dëmshpërblimin në rast aksidenti.

Për shkak të detyrimeve që rrjedhin nga proçesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian, qeveria ka hedhur për konsultim një projektligj të ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit, i cili e zhvendos ndjeshëm ekuilibrin në favor të qytetarit.

Ndryshimet e reja nuk janë thjesht teknike; ato prekin drejtpërdrejt portofolin, kohën dhe sigurinë juridike të çdo qytetari. Ja cilat janë përfitimet kryesore që sjell ky ligj:

1. Dëmshpërblim brenda 14 ditësh për shumicën e aksidenteve
Një nga ndryshimet më të prekshme është rritja e pragut për “dëmet me vlerë të vogël”. Ndërsa deri më sot trajtoheshin me procedurë të përshpejtuar vetëm dëmet deri në 100 mijë lekë, me ligjin e ri ky kufi rritet 2 herë e gjysmë, duke shkuar në 250 mijë lekë. Kjo do të thotë se për pjesën dërrmuese të aksidenteve të lehta dhe të mesme, shoqëria e sigurimit është e detyruar t’ju paguajë dëmshpërblimin brenda 14 ditëve kalendarike. Nuk ka më pritje me muaj të tërë për riparimin e makinës.

2. Më pak pritje për policinë në trafik
Nëse përfshiheni në një aksident të lehtë ku dëmi material llogaritet deri në 50 mijë lekë (nga 30 mijë lekë që ishte më parë) dhe bini dakord me drejtuesin tjetër, nuk keni më nevojë të prisni Policinë Rrugore në mes të trafikut apo të rrezikoni gjoba. Mjafton të plotësoni dhe nënshkruani së bashku Raportin Evropian të Aksidenteve, i cili tashmë vlen si dokument i plotë për të tërhequr paratë te siguruesi.

3. Merrni 100% të vlerës së dëmit, pa zbritje
Ligji i ri u pret rrugën abuzimeve me uljen e vlerës së dëmshpërblimit. Shoqërive të sigurimit u ndalohet rreptësisht të aplikojnë “pjesë të zbritshme” (franshizë) ndaj palës së dëmtuar. Nëse jeni ju i dëmtuari, do të merrni vlerën e plotë të dëmit të llogaritur, pa asnjë cent më pak.

4. “Periudhë faljeje” 15-ditore nëse harroni të rinovoni siguracionin
Kujtdo mund t’i ndodhë të harrojë datën e saktë të skadimit të siguracionit. Ligji i ri fut konceptin e periudhës kalimtare (grace period) prej 15 ditësh pas përfundimit të kontratës. Gjatë këtyre 15 ditëve, makina juaj vazhdon të jetë e mbuluar me sigurim (me kusht që të mos keni njoftuar 3 ditë para se nuk doni ta rinovoni), duke ju mbrojtur nga pasojat e rënda financiare nëse ndodh një aksident në ato ditë.

5. Shoferi i rregullt shpërblehet: Certifikata falas e historikut
Nëse jeni një shofer i kujdesshëm dhe nuk shkaktoni aksidente, ky ligj ju jep një mjet të fortë në dorë për të ulur koston e siguracionit. Ju keni të drejtë t’i kërkoni shoqërisë së sigurimit Certifikatën e Historikut të Dëmeve për 5 vitet e fundit. Ajo lëshohet falas brenda 15 ditëve dhe detyron çdo kompani sigurimi (në Shqipëri, por edhe në BE) t’jua njohë atë për t’ju aplikuar ulje çmimi (bonus).

6. Blerje online dhe krahasim transparent i çmimeve
Kontrata elektronike e sigurimit njihet plotësisht me ligj, njëlloj si ajo me letër, çka lehtëson blerjen nga telefoni apo kompjuteri. Gjithashtu, parashikohet krijimi i një platforme online të pavarur dhe falas, ku qytetarët do të mund të krahasojnë çmimet dhe kushtet e të gjitha kompanive të sigurimit përpara se të vendosin se ku do ta blejnë policën.

7. Mbrojtje e plotë për pasagjerët, këmbësorët dhe ndaj monopatinave
Ligji garanton se sigurimi i makinës mbulon automatikisht edhe dëmet e pasagjerëve brenda mjetit (përfshirë familjarët e shoferit), si dhe këmbësorët e çiklistët. Për më tepër, ligji rregullon edhe mjetet e reja elektrike (si monopatinat e shpejta që kalojnë 25 km/orë), duke garantuar që qytetarët të mos mbeten të pambrojtur në rast përplasjeje me to.

8. Drejt tregut europian: Pa Karton Jeshil dhe dëmshpërblime milionëshe
Ligji është ndërtuar si një urë drejt Bashkimit Evropian. Kufijtë e dëmshpërblimit për dëmet shëndetësore dhe jetën do të rriten gradualisht duke nisur nga viti 2028, për të arritur në 6.45 milionë euro për aksident ditën e anëtarësimit në BE. Po atë ditë, qytetarët shqiptarë nuk do të kenë më nevojë të paguajnë shtesë për Kartonin Jeshil: me një policë të vetme shqiptare dhe me targën e makinës, do të mund të lëvizin lirisht në të gjithë Evropën.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.