Partitë Popullore Europian pritet të pezullojnë SNS-në e Vuçiçit!
Partia Popullore Evropiane (EPP) është gati të pezullojë nga radhët e saj Partinë Progresive Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiçit.
Sipas zyrtarëve të EPP-së të cituar nga Rapporteur, partisë serbe do t’i jepet një afat prej një viti për të përmbushur një sërë kërkesash, nga përmirësimi i lirisë së medias deri te lufta kundër korrupsionit, ose në të kundërt do të përballet me përjashtimin e përhershëm nga organizata pan-evropiane.
Kryesia e EPP-së, një organ i brendshëm vendimmarrës i drejtuar nga eurodeputeti konservator gjerman Manfred Weber, ra dakord të propozojë pezullimin gjatë një takimi të mbajtur të mërkurën në mëngjes në Bruksel. Ky vendim pritet të miratohet zyrtarisht në asamblenë politike të EPP-së në fillim të muajit dhjetor.
Hetimi i brendshëm dhe reforma në opozitë
EPP, e cila funksionon veçmas nga grupi i saj politik në Parlamentin Evropian, ka zhvilluar një procedurë shqyrtimi që nga shtatori i vitit 2025, për të përcaktuar nëse SNS-ja vazhdon t’u përmbahet standardeve demokratike. Sipas një draft-dokumenti të siguruar nga Rapporteur, EPP vlerëson se SNS-ja mund të ripërcaktojë dhe reformojë veten ndërsa ndodhet në opozitë.
Ndalimi i lidhjeve me Moskën: “Udhëheqja e SNS-së duhet t’i japë fund bashkëpunimit politik dhe rreshtimit publik politik me Vladimir Putinin dhe përfaqësues të tjerë të lartë të qeverisë ruse”, thuhet në dokument.
Drejtësia dhe trashëgimia politike: EPP bën thirrje për një hetim të pavarur penal mbi tragjedinë e Novi Sadit, i kërkon Vuçiçit të lejojë një transferim paqësor të pushtetit, si dhe të shkëputet plotësisht nga trashëgimia e Slobodan Millosheviçit.
Konteksti politik në Serbi
Këto zhvillime vijnë pasi muajin e kaluar “Lista Studentore” siguroi një fitore të papritur në zgjedhjet parlamentare serbe, duke e larguar Vuçiçin nga pushteti pas 14 vitesh. Vuçiç ishte përballur me vite të tëra protestash pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad në vitin 2024, tragjedi ku humbën jetën 16 persona.
Gjatë drejtimit të tij, Serbia po afrohej gjithnjë e më shumë me Rusinë. Ndërkohë, “Lista Studentore”, një lëvizje qytetare e përbërë nga figura të reja në politikë, po planifikon të mbajë një referendum për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian në vitet e ardhshme.




