Deklarata e fortë: Rama i dha Fatos Nanos 150 milionë euro për të “blerë” PS-në
Analisti Alfred Cako ka bërë një sërë deklaratash të forta për prapaskenat e politikës shqiptare, duke pretenduar se marrja e drejtimit të Partisë Socialiste nga Edi Rama në vitin 2005 ishte shoqëruar me marrëveshje dhe përfitime financiare për paraardhësin e tij, Fatos Nano.
I ftuar në podkastin “Të Pashoq”, Cako foli për ndikimin që, sipas tij, George Soros dhe rrjetet e lidhura me fondacionin “Open Society” kanë ushtruar në politikën shqiptare pas viteve ’90. Në rrëfimin e tij, ai përfshiu zhvillimet brenda dy forcave kryesore politike, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, duke pretenduar se përmes personave të afërt me to është synuar ndikimi në vendimmarrjen politike.
Cako e vendosi fillimin e kësaj periudhe në vitin 1992, kur u krijua fondacioni “Open Society” në Shqipëri. Sipas tij, përpjekjet për të ndikuar në elitën politike dhe institucionale të vendit u shtrinë gradualisht në të dy kampet politike.
Ai pretendoi se ky ndikim nuk ishte i kufizuar vetëm te e majta, por përfshinte edhe të djathtën, duke përmendur si shembull krijimin e Komitetit të Orientimit të Politikave (KOP) në vitet 2002-2003, një strukturë e ngritur brenda PD-së gjatë drejtimit të Sali Berishës.
“Futi në Open Society njerëz të ndryshëm, qoftë nga PD-ja, qoftë nga PS-ja dhe nëpërmjet tyre u përpoq të kontrollonte të dyja partitë dhe politikën shqiptare, derisa në vitin 2005 e mori. Më 2002-2003-shin organizoi KOP-in dhe u përpoq nëpërmjet KOP-it të merrte PD-në”, deklaroi Cako.
Akuza ndaj Fatos Nanos: Ia dorëzoi PS-në Ramës për përfitime personale
Pjesa më e fortë e deklaratave të Cakos lidhej me kalimin e drejtimit të Partisë Socialiste nga Fatos Nano te Edi Rama, pas humbjes së socialistëve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005.
Sipas tij, largimi i Nanos nga drejtimi i partisë nuk ishte thjesht rezultat i zhvillimeve politike pas humbjes elektorale, por një proces i shoqëruar me përfitime personale dhe marrëveshje me pasardhësin e tij.
Cako pretendoi se Nano kishte përfituar prona dhe mundësi për të vijuar një jetë luksoze, ndërsa Rama, i cili në atë kohë drejtonte Bashkinë e Tiranës, kishte siguruar rrugën për të marrë kontrollin e socialistëve.
“Në vitin 2005, Nano e dorëzoi për të mirat e veta, për disa vila që mori andej nga Vjena dhe për jetën e vet mondane. Ia shiti partinë, duke i dhënë edhe lekë si kryebashkiak që ishte Rama”, u shpreh ai.
Por Cako nuk u ndal me kaq. Ai artikuloi një akuzë edhe më të rëndë, duke pretenduar se Fatos Nano kishte marrë nga Edi Rama plot 150 milionë euro, të ndara në tri pagesa të veçanta.
Sipas versionit të paraqitur prej tij, pagesat prej 50 milionë eurosh kryheshin në momente kur ish-kryeministri dilte publikisht në mbështetje të Ramës, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore dhe periudhave kur ky i fundit përballej me vështirësi politike.
“Në dijeninë time, i ka dhënë tre këste nga 50 milionë euro Fatos Nanos. Sa herë bënte ndonjë mesazh gjatë zgjedhjeve, kur Rama ishte keq, i ftonte shokët socialistë të votonin dhe të mbështesnin Edi Ramën, gjigantin e politikës shqiptare, dhe merrte nga një 50-çe nga Rama”, pretendoi Cako.
Kjo është një prej akuzave më të rënda të bëra gjatë intervistës, por Cako nuk paraqiti dokumente financiare, kontrata apo prova të tjera konkrete që të vërtetojnë pretendimin për pagesat prej 150 milionë eurosh. Për rrjedhojë, deklarata mbetet një pretendim i tij dhe jo një fakt i provuar.
Nga Nano te Basha, Cako flet edhe për prapaskenat në PD
Në analizën e tij, Cako u ndal edhe te zhvillimet në Partinë Demokratike pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2013. Ai pretendoi se vendosja e Lulzim Bashës në krye të opozitës ishte pjesë e një strategjie për të siguruar kontrollin e plotë mbi partinë.
Sipas tij, Sali Berisha nuk u tërhoq realisht nga ndikimi në PD pas largimit nga drejtimi formal, por vijoi të ruante pushtetin përmes figurave të tjera dhe mekanizmave të brendshëm politikë.
“Dhe më 2013-ën u përpoqën ta merrnin 100% në kontroll PD-në duke vendosur Lul Bashën dhe duke bërë një marrëveshje, por Berisha nuk e dorëzoi, sepse qëndroi mbrapa dhe u përpoq me numra dy ta mbante në kontroll Bashën”, deklaroi Cako.
Përgjatë intervistës, ai ndërtoi një panoramë të zhvillimeve politike shqiptare të tri dekadave të fundit, duke i lidhur ndryshimet në drejtimin e PS-së dhe PD-së me atë që e konsideron ndikim të rrjeteve ndërkombëtare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



