Partia Popullore Europiane (PPE) kanë vendosur të pezullojnë anëtarësimin e Partisë Progresive Serbe (SNS), të drejtuar nga Aleksandar Vuçiç, në Asamblenë Politike që do të mbahet në Bruksel më 7 dhe 8 dhjetor.
Propozimi pritet të paraqitet nga kryesia e PPE-së, e drejtuar nga gjermani Manfred Weber, pas një procesi të brendshëm verifikimi që ka zgjatur më shumë se një vit. Sipas burimeve të Euronews, shumica dërrmuese e anëtarëve të familjes politike europiane të qendrës së djathtë mbështet pezullimin e SNS-së.
PPE ka pasur prej kohësh përplasje me partinë e Vuçiçit për shkak të lidhjeve të saj me Rusinë dhe mënyrës së trajtimit të protestave në Serbi. Pakënaqësia brenda kësaj force politike është shtuar edhe më tej gjatë muajve të fundit, pas nderimeve shtetërore dhe pjesëmarrjes së zyrtarëve të lartë serbë në funeralin e Ratko Mlladiçit, ish-komandantit të forcave serbe të Bosnjës, i dënuar për krime lufte nga drejtësia ndërkombëtare.
Vendimi përfundimtar do të merret nga Asambleja Politike e PPE-së, ku përfaqësohen partitë anëtare përmes delegatëve, numri i të cilëve përcaktohet në bazë të rezultateve të tyre në zgjedhjet e fundit europiane.
Një anëtar i kryesisë së PPE-së i tha Euronews se shumica dërrmuese është në favor të pezullimit, duke e konsideruar miratimin e propozimit pothuajse të sigurt.
Sipas burimeve, kryesia e PPE-së e ka shqyrtuar këtë mundësi prej disa muajsh, por ka pritur përfundimin e zgjedhjeve në Serbi përpara se të ndërmerrte hapin zyrtar.
SNS, e cila ka dominuar skenën politike serbe për gati 14 vjet, humbi zgjedhjet parlamentare të tetorit përballë Listës së Studentëve dhe pritet të kalojë në opozitë.
Në rast të pezullimit, partia e Vuçiçit do të ketë një afat njëvjeçar për të përmbushur kushtet e vendosura nga Asambleja Politike, në mënyrë që të mund të rikthehet në PPE.
Partia Progresive Serbe është anëtare e asociuar e PPE-së që prej vitit 2016. Euronews bëri të ditur se i kishte kërkuar SNS-së një koment për këtë çështje, por nuk kishte marrë përgjigje deri në publikimin e lajmit.a.b



