Përfundon vizita e Jakup Krasniqit në Kosovë, ish-kryetari i Kuvendit rikthehet në Hagë Presidenca e Partisë Popullore Europiane, familjes më të madhe politike në Europë, ku bën pjesë edhe Partia Demokratike Kroate (HDZ), ka propozuar pezullimin e Partisë Progresiste Serbe (SNS) të Aleksandër Vuçiçit.
Propozimi pritet të shqyrtohet në Asamblenë Politike të EPP-së, më 7 dhe 8 dhjetor në Bruksel. Nëse miratohet, SNS do të humbasë të gjitha të drejtat e anëtarësimit, përfshirë të drejtën e votës, ndërsa do t’i jepet një afat prej një viti për të përmbushur shtatë kushtet e vendosura.
Në të kundërt, partia e Vuçiçit rrezikon përjashtimin e plotë nga familja politike europiane, ku është pjesë që prej vitit 2016.
Sipas raportimit të medias kroate Večernji list, mes kushteve të vendosura për SNS-në janë distancimi nga trashëgimia e politikës së Sllobodan Millosheviçit, ndalimi i glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe i mohimit të gjenocidit në Srebrenicë dhe krimeve të tjera të luftës.
EPP kërkon gjithashtu që partia e Vuçiçit të përafrojë politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Europian, të ndërpresë mbështetjen ndaj politikave të Vladimir Putinit dhe të bashkëpunojë për një transferim paqësor të pushtetit në Serbi.
Shqetësime të tjera lidhen me lirinë e medias, korrupsionin dhe lidhjet e pretenduara mes strukturave shtetërore dhe krimit të organizuar. Propozimin e ka përshëndetur edhe Karlo Ressler, kreu i delegacionit të HDZ-së në Parlamentin Europian, i cili tha se EPP po ndërmerr hapa në përputhje me shqetësimet që partia e tij kishte ngritur prej vitesh.
Procedura e verifikimit të anëtarësimit të SNS-së nisi në shtator 2025, për shkak të shqetësimeve mbi gjendjen e demokracisë në Serbi, trajtimin e protestuesve dhe respektimin e vlerave europiane.
Reagimet ndaj partisë së Vuçiçit u shtuan edhe pas pjesëmarrjes së zyrtarëve të lartë serbë në ceremoninë mortore të Ratko Mlladiçit, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera lufte.
Vendimi përfundimtar pritet të merret në mbledhjen e 7-8 dhjetorit. Nëse SNS nuk përmbush kushtet brenda një viti, mund të përballet me përjashtimin e plotë nga EPP.
Një precedent i ngjashëm është rasti i partisë Fidesz të Viktor Orbanit në Hungari, e cila u pezullua nga EPP në vitin 2019, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi standardet demokratike dhe sundimin e ligjit, përpara se të largohej përfundimisht nga kjo familje politike në vitin 2021.
Top Channel