Zbulimi makabër në shtëpinë e 65-vjeçarit/ Nga kafazet me kafshë të ngordhura te trupi i pajetë i fshehur në frigorifer

18/11/2026 20:56

Një ngjarje makabre ka tronditur opinionin publik në Britaninë e Madhe. Pamjet e publikuara në sallën e gjyqit kanë zbuluar gjendjen e rëndë të një banese në Anfield të Liverpoolit, ku policia gjeti trupin e një gruaje të ruajtur në një frigorifer ngrirës për afro tre vite.

George Gordon, 65 vjeç, akuzohet për vrasjen e artistes Delia McInerney, të cilën e konsideronte “shpirtin e tij binjak”. Sipas prokurorisë, gruaja për pak ditë do të shkonte në Portugali, ku planifikonte të niste një jetë të re së bashku me kafshët e saj shtëpiake.

Pamjet filmike të paraqitura para jurisë tregojnë policët duke hyrë në banesën e mbushur me kuti, libra, dokumente dhe sende të shpërndara në dysheme. Në kuzhinë, oficerët zbuluan disa kafaze me kafshë të ngordhura.

“Ka disa derra gini dhe lloj brejtësish të ngordhur”, dëgjohet t’i thotë njëri prej policëve kolegut të tij, ndërsa kontrollonte kafazet me ndihmën e elektrikës.

Sipas dëshmisë në gjykatë, ditën e ngjarjes Gordon kishte shkuar për mëngjes në lokalin “The Sefton Pub”, ku më pas kishte konsumuar një birrë Strongbow dhe një dopio uiski. Prokuroria pretendon se ai kishte mbytur pesë derrat e Delias dhe më pas kishte vrarë gruan, duke e copëtuar trupin dhe duke e vendosur në një frigorifer ngrirës.

Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu se Gordon kishte blerë një sharrë dore dhe një libër anatomie, “Gray’s Anatomy”, pasi kishte mësuar se Delia planifikonte të largohej në prill të vitit 2023. Sipas prokurorit Martin Reid KC, këto sende ishin në përputhje me ato që mund të përdoreshin për vrasjen dhe copëtimin e trupit të viktimës.

Pas vdekjes së saj, Gordon dyshohet se kishte vazhduar të komunikonte me miqtë dhe fqinjët duke u hequr sikur ishte vetë Delia, për të krijuar përshtypjen se ajo ishte ende gjallë.

Gënjeshtrat nisën të zbuloheshin në dhjetor 2025, kur policia u njoftua nga shërbimet sociale për shqetësimet lidhur me përfitimet sociale që merrte gruaja. Kur u arrestua në banesën e tij, Gordon dyshohet se u tha efektivëve: “Ajo është në frigorifer”.

Eksperti mjeko-ligjor i Ministrisë së Brendshme britanike, Dr Matthew Lyall, deklaroi para Gjykatës së Kurorës në Liverpool se shkaku i vdekjes nuk mund të përcaktohej me siguri.

Megjithatë, në kokën e viktimës ishin konstatuar dëmtime të shkaktuara nga goditje me një objekt të fortë, të cilat mund të ishin shkaktuar nga një çekiç dhe që dukeshin se ishin marrë në periudhën e vdekjes.

Trupi u gjet i ndarë në dy pjesë, i mbështjellë me mushama dhe qese plastike. Në frigorifer u zbuluan gjithashtu mbetje të organeve të brendshme dhe të lëkurës, ndërsa zemra ishte gjetur veçmas. Eksperti e përshkroi gjendjen e trupit si një rast të mutilimit të rëndë, të përqendruar kryesisht në zonën e kraharorit dhe barkut.

George Gordon i mohon akuzat për vrasje dhe shkaktim të vuajtjeve të panevojshme ndaj kafshëve. Ai ka pranuar ndërkohë veprat penale që lidhen me fshehjen e trupit të Delias dhe mashtrimin financiar pas vdekjes së saj.

Çështja po shqyrtohet në Gjykatën e Kurorës në Liverpool, ndërsa i pandehuri prezumohet i pafajshëm për akuzat që mohon deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Top Channel