Fiks Fare/ 27 tonë mish derri me dokumente false, firma King-Mit në qendër të skandalit, AKU e bllokoi dhe heshti për një muaj Fiks Fare udhëtoi në fshatin Shegas të Belshit, pas ankesës së disa pacientëve që bëjnë dializën, të cilët prej disa muajsh po shkojnë me mjete të rastit në Spitalin Rajonal të Elbasanit, pasi autoambulanca ishte prishur. Shteti iu rimburson 5 mijë lekë pagese bilete në muaj, por kjo shumë iu mundëson vetëm 1 vajtje-ardhje nga fshatrat ku banojnë.
Bashkia e Belshit iu erdhi në ndihmë me një autoambulancë. Por, prej 2 muajsh mjeti është në servis pasi ka prishur motorin. Disa herë, pacientët kanë paguar me lekët e tyre rregullimin e mjetit. Grupi i Fiks Fare udhëtoi në atë fshat. Në orën 06.00 grupi i emisionit investigativ shkoi në banesën e tij, për shkak se Bedriu e disa pacientë të tjerë nga zona e Belshit, nisen për të bërë dializën në Spitalin Rajonal të Elbasanit.
Bedriu thotë se vuan nga një sërë sëmundjesh, ka bërë operacion zemrën, vuan nga diabeti dhe prej 3 vitesh ka probleme me veshkën dhe për këtë arsye duhet të bëjë dializën 3 herë në javë në Elbasan. Ai thotë se prej më shumë se 2 muajsh janë torturuar fizikisht dhe shkatërruar ekonomikisht për shkak se autoambulanca që përdornin për dializën është prishur. Bedriu pohon se Bashkia e Belshit kishte vënë një mjet në përdorim të tyre, duke qenë se janë rreth 10 pacientë nga Belshi. I merrte në banesë, shkonin në Elbasan, dhe ktheheshin me mjetin.
Mjetin, shoferin, karburantin dhe servisin e mbulon Bashkia e Belshit! Jo Qendra Shëndetësore Belsh, Spitali Rajonal i Elbasanit apo Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore, një institucion shtetëror i krijuar pas përfundimit të afatit të koncesionit të hemodializës.

Tani marrin taksi, që kushton plot 4 mijë lekë të rinj vajtje ardhje. “Dhe 4 mijë lekë me mik e me shok, se jemi shumë larg dhe taksisti duhet të qëndroje nga ora 6 që na merr e deri në 12 kur mbarojmë dializën. Mund të kemi edhe ndonjë tension pas dializës dhe duhet të qëndrojmë akoma më shumë” pohon Bedriu.
Më pas, Bedriu hipën në automjet sëbashku me bashkëshorten dhe nisen në një fshat tjetër të Belshit. Taksia rrugës merr një pacient që edhe ai shoqërohet nga bashkëshortja. Pacienti i dytë është 77 vjeç dhe ka probleme me dëgjimin. Gruaja e tij thotë se paratë e pensionit s’u dalin për taksi e jo më për të ngrënë e ilaçe. “Mbijetojmë” thotë ajo.
Fiksi i shoqëron deri në Spitalin e Elbasanit, ku rruga zgjati plot 1 orë. Ata futen në dializë në orën 07.00. Grupi i emisionit investigativ pret deri në fund të dializës që përfundonte rreth orës 12.00. Pas përfundimit, disa pacientë të tjerë po nga Belshi tregojnë se vijnë me mjete të rastit për të bërë dializën.
“Marrim nga 2 ose 3 mjete. Nga fshati deri në Belsh. Nga Belshi me furgonë deri në terminalin në Elbasan. Në Elbasan me autobusë deri në spital. E njëjta në kthim” thotë një pacientë. Një tjetër thotë se vjen me vajzën e një pacienteje tjetër. “I japim pagesën çdo ditë. U grimë nga lekët. Ambulanca në servis dy muaj. Kemi vënë edhe lekë vetë për ta rregulluar. Tani na thonë ka motorin për të bërë” thotë një tjetër. Më pas, hipin në mjete për të bërë të njëjtën rrugë për në kthim!

Fiksi shkon edhe në Bashkinë e Belshit për të pyetur se çfarë po bëhet me autoambulancën. Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Belsh, Alban Nipolli, thotë se megjithëse nuk iu takon të bëjnë atë shërbim, sërish u kanë ardhur në ndihmë banorëve të bashkisë. “Na dhuruan 2 autoambulanca. 1 ia kaluam spitalit dhe 1 e mbajtëm vetë. Këtë që mbajtëm vetë e përdorëm për pacientët e dializës. Është prishur prej 2 muajsh. E kemi çuar në servisin privat që rregullon mjetet e bashkisë po ka probleme në motor. Është mjet i vitit 2009. Presim ta rregullojmë dhe ta vëmë në dispozicion sërish të pacientëve” thotë Albani.
Dy realitete të ndryshme për dializën. Peripecitë dhe mbijetesa e pacientëve nga njëra anë. Dhe, nga ana tjetër, abuzimet dhjetëra miliona euro me këtë shërbim jetik nga ish firmat koncesionare apo nga Operatori Shtetëror që e ka aktualisht. Pagesa për një pacient për udhëtimin, prej 5 mijë lekësh, është vetëm një lëmoshë. Fiks Fare bën një apel për të gjithë! Kushdo firmë apo individ që ka një motor të mjetit Fiat të vitit 2009 të ndihmojë Bashkinë e Belshit për t’u ardhur në ndihmë këtyre pacientëve.
Top Channel