Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka denoncuar një tjetër episod lidhur me rastin e 23-vjeçarit Enea, i cili pretendon se është dhunuar nga efektivë policie në ambientet e Komisariatit Nr. 1 në Tiranë.
Shehaj deklaroi se ndaj të riut po ushtrohej presion për të ndryshuar dëshminë e tij, pasi kishte denoncuar publikisht dhunën në oborrin e Parlamentit, në praninë e tij dhe deputetit Erald Kapri.
Kreu i Mundësia tha se ishte paraqitur me urgjencë në spital, pasi ishte njoftuar se policë dhe përfaqësues të Komisariatit Nr. 1 kishin larguar avokatin e të riut dhe po përpiqeshin ta detyronin atë të mos identifikonte me emra personat që pretendon se e kishin dhunuar.
“Erdha me urgjencë në Spital sepse më njoftuan se ndaj Eneas, të riut që denoncoi dhunën e policisë krah meje në Kuvend, po ushtrohej presion në mënyrë që ai të ndryshonte dëshminë. E paimagjinueshme!
Ky është një skandal i vërtetë.
E rrahin, pastaj e marrin zvarrë nga shtrati ku priste të mjekohej dhe e sjellin këtu në një dhomë duke dhunuar avokatin, duke e larguar për ta detyruar që të ndryshojë dëshminë.
Nuk ka asnjë shans që kjo të ndodhë”, deklaroi Shehaj në një video të publikuar në rrjetet sociale.
Më herët, 23-vjeçari Enea kishte denoncuar publikisht se personat që e kishin dhunuar në zyrat e shefit të Komisariatit Nr. 1 ishin Roki Pepa dhe Ervin Hasrama.





