Manchester United po mendon të ndërmarrë veprile ligjore ndaj JJ Gabriel. Lajmi bëhet i ditur nga ‘The Times’, sipas së cilës këto hapa do të ndërmerren nëse ka prova se klube të tjerë iu afruan adoleshentit në mënyrë ilegale.

Futbollisti 16 vjeçar ditën e martë konfirmoi largimin nga Manchester United dhe sinjalet janë që në javët e ardhshme do të nënshkruajë një kontratë me Realin e Madridit. Në fakt, që këtë të mërkurë, futbollisti vizitoi edhe Valdebebasin, qendrën stërvitore të Los Blancos

Sipas të përditshmes britanike, tani Djajtë e Kuq po studiojnë nëse ka pasur kontakte me JJ Gabriel gjatë verës dhe nëse janë thyer normat e FIFA që kanë të bëjnë me futbollistët minorenë. Me rregulloren aktuale, në momentin që do të kompletohet transferimi i 16 vjeçarit te Reali i Madridit, Manchester United do të përfitojë rreth 300 mijë paundë për formimin e futbollistit, një shifër kjo që është shumë larg asaj që klubi do të përfitonte nga një transferim i tij në të ardhmen.

Klubi anglez është shumë i pakënaqur me sjelljen e futbollistit dhe familjen e tij, që pas 6 vitesh vendosi largimin e tij me futbollistin që ndërpreu stërvitjen me Djajtë e Kuq në Carrington, qendra sportive e Manchester United. Dhe kjo ndodhi vetëm pak ditë pasi shënoi një tregolësh në Youth League. Klubi anglez thekson se nuk ka mundur të komunikojë me familjen e futbollistit që në muajin shtator. JJ Gabriel nuk ka debutuar kurrë me Manchester United në një ndeshje zyrtare, por është stërvitur në skuadrën e parë dhe ka luajtur për disa minuta në një miqësore në verë.

Çështja është se tani mungon vetëm zyrtarizimi i kalimit të JJ Gabriel nga ana e Realit të Madridit. Tashmë mbetet vetëm që Real Madridi të zyrtarizojë transferimin e talentit të ri, pasi lojtari u nda dje nga Manchester United. Në Angli e kanë pritur me zhgënjim të madh largimin e sulmuesit të ri dhe, duke parë zhvillimet e fundit, po përpiqen të përfitojnë financiarisht sa më shumë nga futbollisti që konsiderohet si talenti më i madh i dalë nga futbolli anglez në 15 vitet e fundit.

Prania e Gabrielit, i cili prej disa javësh po stërvitet individualisht në Spanjë, në pritje të konfirmimit zyrtar të transferimit te Real Madridi, ka ngjallur interes të madh në qendrën stërvitore të klubit madrilen. Drejtuesit dhe stafi i klubit janë të vetëdijshëm për jehonën e madhe mediatike që ka shoqëruar si largimin e futbollistit nga Manchester United, ashtu edhe mbërritjen e tij te skuadra madrilene.

Top Channel