Politologu Ermal Hasimja ka vënë në pikëpyetje efektivitetin e masave ekonomike të paralajmëruara nga qeveria, duke parashikuar se kostoja e jetesës do të rëndohet edhe më tej gjatë muajve në vijim.
I ftuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, ai propozoi që në muajin prill të bëhet një vlerësim konkret i situatës ekonomike, duke krahasuar fuqinë blerëse, çmimet e produkteve bazë dhe shpenzimet mujore të familjeve. Në fokus të kësaj analize, Hasimja veçoi edhe pensionistët, për të parë nëse masat e qeverisë kanë sjellë realisht përmirësim në ekonominë e tyre.
Sipas politologut, rezultatet e këtij krahasimi do të tregojnë nëse qytetarët kanë përfituar nga ndërhyrjet e qeverisë apo nëse barra financiare mbi ta është shtuar.
Hasimja shprehu gjithashtu skepticizëm për efektin që mund të ketë ulja e TVSH-së për produktet e shportës bazë, duke argumentuar se kjo masë nuk do të sjellë ndryshimin e premtuar në çmimet për konsumatorët.
Ai ironizoi edhe justifikimet që, sipas tij, mund të përdorë qeveria në rast se situata nuk përmirësohet, duke përmendur protestat, opozitën dhe zhvillimet ndërkombëtare, përfshirë luftën në Iran.
“E keqja është që qeveria e ka llogaritur që këta njerëz do të gënjehen edhe kësaj here, që ulën TVSH-në, por s’ka për të pasur ndonjë lloj impakti aty, për 100 arsye”, deklaroi Hasimja.













