Lajme

Partia Popullore Evropiane do të pezullojë anëtarësimin e partisë së Vuçiç në takimin e Dhjetorit

Partia Popullore Europiane (PPE) pritet të pezullojë anëtarësimin e Partisë Progresive Serbe (SNS) të Serbisë në Asamblenë e saj Politike të ardhshme, e cila do të mbahet në dhjetor.

Vendimi pritet të propozohet nga kryesia e PPE-së, e drejtuar nga gjermani Manfred Weber, pas një procesi të brendshëm verifikimi që nisi më shumë se një vit më parë, bëjnë të ditur burime të PPE-së për Euronews.

Familja politike e qendrës së djathtë europiane ka pasur prej kohësh përplasje me partinë e ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiç, për shkak të lidhjeve të saj me Rusinë dhe shtypjes së dhunshme të protestave në Serbi.

Pakënaqësia brenda PPE-së është shtuar gjatë muajve të fundit, duke kulmuar me thirrjet e reja për masa ndaj SNS-së, pas nderimeve shtetërore dhe pranisë së zyrtarëve të lartë serbë në funeralin e komandantit serb të Bosnjës, Ratko Mlladiç.

Mlladiç, i dënuar për krime lufte dhe i njohur si ‘Kasapi i Bosnjës’, ndërroi jetë në fund të gushtit, në moshën 84-vjeçare, në një institucion të paraburgimit të OKB-së në Hagë.

Propozimi i kryesisë duhet të miratohet nga Asambleja Politike, e përbërë nga delegatë të partive anëtare të PPE-së, në mbledhjen që do të zhvillohet në Bruksel më 7 dhe 8 dhjetor. Numri i delegatëve që përfaqëson secilën parti përcaktohet në bazë të rezultateve të saj në zgjedhjet e fundit europiane, duke garantuar përfaqësim proporcional me fuqinë elektorale.

‘Një shumicë dërrmuese e PPE-së është në favor të pezullimit’, i tha Euronews një anëtar i kryesisë së partisë, duke e konsideruar rezultatin pothuajse të sigurt.

Sipas burimeve, kryesia e PPE-së e ka shqyrtuar këtë mundësi prej disa muajsh, por ka pritur përfundimin e zgjedhjeve në Serbi përpara se të paraqiste propozimin.

SNS, e cila kishte dominuar skenën politike serbe deri këtë vit, humbi zgjedhjet parlamentare të tetorit përballë Listës së Studentëve dhe pritet të kalojë në opozitë për herë të parë pas gati 14 vitesh.

Në rast se anëtarësimi pezullohet, SNS do të ketë një vit kohë për të përmbushur disa kushte të përcaktuara nga Asambleja Politike, në mënyrë që të mund të rikthehet në PPE, bëri të ditur një zyrtar i kësaj partie europiane për Euronews.

Partia Progresive Serbe është anëtare e asociuar e PPE-së që prej vitit 2016. Euronews bëri të ditur se i është drejtuar SNS-së për një koment lidhur me këtë çështje, por nuk kishte marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të lajmit.

©Shqip.com