Hulumtimi i dokumenteve tregon se hallka më e dobët nis pasi vendimi është dhënë: te marrja fizike në dorëzim, identifikimi i saktë, ruajtja, vlerësimi dhe destinacioni përfundimtar. Rezulton se 1 mijë e 118 pasuri të sekuestruara nuk janë marrë në dorëzim, pavarësisht vendimit për sekuestro.

Një pjesë e tyre janë pronë e shtetit, pasi janë të konfiskuara përfundimisht. Por, de facto, ato kanë mbetur në duart e të fortëve. Kjo do të thotë se ato prona vijojnë e mbushin arkat e krimit nën hundën e institucioneve!

“Rezultojnë gjithsej 3.618 pasuri të sekuestruara, nga të cilat 2.500 pasuri janë marrë në dorëzim nga AAPSK-ja, ndërsa 1.118 pasuri ende nuk janë marrë në dorëzim. Në kuadër të ekzekutimeve të vendimeve për konfiskimin e pasurive, rezulton se janë në total 1.033 pasuri.”

“E para dhe kryesorja, duhet të theksojmë që lufta kundër parasë kriminale nuk është thjesht luftë kundër një grupi të caktuar njerëzish; është luftë për demokracinë, sepse paraja kriminale dëmton rëndë demokracinë. Ne dimë rastet e shumë politikanëve që u promovuan dhe dekriminalizimi i nxori jashtë”, u shpreh Arben Malaj, ekspert ekonomie.

Marrja në dorëzim e pasurisë kur prona sekuestrohet është një proces kompleks që shpesh shoqërohet me pasaktësi rreth pronës dhe zotëruesit. Referuar të dhënave zyrtare dhe detajeve që paraqiten në dokumente, kur specifikojnë të dhënat e pasurisë, rezultojnë emra të ndryshëm apo tjetërsim prone përpara konfiskimit të saj.

“Krijon problematika të ndryshme, sepse, e para, e dënon personin paraprakisht dhe sekuestroja nuk mund të kthehet kurrë në një dënim paraprak të personit, por konfiskimi është dënimi që merr personi…”, u shpreh ish-prokurori Florian Bonjaku.