Buxheti, Tabaku: Qytetarët nuk morën sërish përgjigje, qeveria bën veshin e shurdhët
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ftuar në emisionin “Trialog” të gazetares Alba Alishani në RTSH24, ka ngritur shqetësimin se projektbuxheti dhe paketa fiskale nuk i japin asnjë përgjigje problemeve reale të qytetarëve dhe sipërmarrjes.
Duke u ndalur te pikëpyetjet e mëdha të familjeve shqiptare, Tabaku theksoi se qytetarët presin përgjigje për këto pyetje: “Çfarë do të ndodhë me xhepin e tyre? Çfarë do të ndodhë me çmimet? Çfarë do të ndodhë me taksat? Çfarë do të ndodhë me faturat? Çfarë do të ndodhë me të ardhurat? Dhe këto pyetje përsëri sot dështuan që të marrin përgjigje, pavarësisht insistimeve dhe pavarësisht edhe punës që është bërë nëpër komisione”
Tabaku theksoi se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq pasi qytetarët nuk gjejnë përfaqësim te politika, ndërsa mazhoranca sipas saj sillet sikur jeton në një realitet paralel.
“Sikur njerëzit nuk e dinë që çmimet janë rritur me 70%, sikur nuk e dinë që sot 40% e të ardhurave shkon për ushqim. Pensionet janë për herë të parë në këto 35 vite me rënie minimale prej 14.5%”, u shpreh Tabaku
Duke iu referuar shifrave të demografisë dhe rinisë, ajo shtoi se “çdo vit Shqipërisë i largohen 28,000 banorë, është madhësia e një qyteti. Dhe ky është alarmi për buxhetin, për ekonominë, për të ardhurat, për konsumin; ky është alarmi dhe për rininë”
Gjatë intervistës deputetja e opozitës u ndal te kundërshtimi nga ana e komunitetit të biznesit, duke kujtuar se 30 organizata biznesi dolën në unison kundër paketës.
“Kur në unison 30 organizata biznesi thonë që kjo paketë penalizon rritjen ekonomike, penalizon prodhimin, do të ulë eksportet, do të ulë punësimin, do të rrisë çmimet, dhe qeveria bën veshin e shurdhër… Mua më vjen keq të theksoj, por kjo është sjellja që na ka sjellë deri më sot”, tha Tabaku.
Ajo kritikoi gjithashtu paqartësinë e institucioneve, duke përmendur se si ministri i Financave ka ndryshuar qëndrimet për tatimin e dividendit, ndërsa ministri i Bujqësisë ka pranuar se VKM-të e miratuara nuk i zgjidhin problemet e fermerëve.
“Këtu ke dy ekstreme që janë mbledhur: o të korruptuar e vjedhin buxhetin, o të paaftë nga ana tjetër e hiqen sikur janë një ekip amatorësh”, deklaroi Tabaku.
Në përgjigje të pretendimeve të qeverisë se buxheti mbështet çiftet e reja me lehtësira strehimi, Tabaku theksoi se e vërteta është krejt ndryshe.
“Çiftet e reja dhe shtresën e mesme që e kanë detyruar të largohet nga Shqipëria; çiftet e reja dhe shtresën e mesme që sot janë penalizuar të mëdhenj pas 14 vitesh. Sepse mos harrojmë, shtresa e mesme, çiftet e reja, profesionistët e lirë do të futen dhe në skemën e TVSH-së. Nga 10 milionë në 5 milionë do të ulet pragu dhe do të paguajnë dhe 21% TVSH të rritur për të gjitha shërbimet e tyre. Kjo është fatura e dashurisë që qeveria ka për ta”, nënvizoi Tabaku.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



