Operacioni gjenial për urën në Krime/ Plani në shtatë faza, si goditi Kievi një nga pikat strategjike të Rusisë

18/11/2026 22:02

Ura e Krimesë, një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore të Rusisë u godit dhe doli jashtë funksionit sipas një plani të hartuar jo vetëm nga ushtarakë, por edhe inxhinierë.

Sulmi u krye gjatë natës, mes së hënës dhe së martës, pas një operacioni që, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, ishte përgatitur për javë të tëra dhe u zhvillua në shtatë faza.

Sipas versionit të Kievit, fillimisht u goditën sistemet ruse të mbrojtjes ajrore, radarët dhe pajisjet e luftës elektronike, me synimin për të dobësuar mbrojtjen e urës.

Më pas, dronët dhe raketat ukrainase u drejtuan kundër vetë strukturës. Goditja e parë dëmtoi pjesën qendrore të urës rrugore, por pa e shembur plotësisht atë, ndërsa sulmet pasuese nuk i lanë kohë autoriteteve ruse të merrnin masa dhe shkaktuan shembjen e një pjese të harkut prej çeliku që nga pesha dëmtoi edhe segmentin e hekurudhës poshtë tij.

Zelensky bëri të ditur se në operacion u përdorën disa lloje dronësh dhe raketash, mes tyre “Neptun”, “Flamingo” dhe mjete të tjera të prodhimit ukrainas.

Dëmet kanë detyruar autoritetet të ndërpresin qarkullimin e automjeteve. Ndërkohë, pala ruse ka njoftuar rifillimin e pjesshëm të trafikut hekurudhor, megjithëse edhe kjo linjë ka pësuar dëmtime.

Nga Moska, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Vladimir Putin ishte informuar për sulmin dhe se ura do të rindërtohet.

E inauguruar në vitin 2018 nga vetë presidenti rus, Vladimir Putin, ura e Krimesë është rreth 19 kilometra e gjatë dhe ka një rëndësi të veçantë për Moskën, si në aspektin infrastrukturor, ashtu edhe në atë politik.

Top Channel