Ura e Krimesë, një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore të Rusisë u godity dhe doli jashtë funksionit sipas një plani të hartuar jo vetëm nga ushtarakë, por edhe inxhinierë. Sulmi u krye gjatë natës, mes së hënës dhe së martës, pas një operacioni që, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, ishte përgatitur për javë të tëra dhe u zhvillua në shtatë faza. Sipas versionit të Kievit, fillimisht u goditën sistemet ruse të mbrojtjes ajrore, radarët dhe pajisjet e luftës elektronike, me synimin për të dobësuar mbrojtjen e urës. Më pas, dronët dhe raketat ukrainase u drejtuan kundër vetë strukturës. Goditja e parë dëmtoi pjesën qendrore të urës rrugore, por pa e shembur plotësisht atë, ndërsa sulmet pasuese nuk i lanë kohë autoriteteve ruse të merrnin masa dhe shkaktuan shembjen e një pjese të harkut prej çeliku që nga pesha dëmtoi edhe segmentin e hekurudhës poshtë tij.