Një tjetër pengesë për administratën e Donald Trump në Senatin amerikan. Kandidati i tij për drejtimin e Fondacionit Kombëtar të Shkencës (NSF), Jim O’Neill, nuk do t'i nënshtrohet seancës dëgjimore për konfirmimin në këtë detyrë, pasi kreu i komitetit të Senatit për Shëndetësinë, Arsimin, Punën dhe Pensionet, republikani Bill Cassidy, kundërshtoi kandidaturën e tij.
Cassidy argumentoi se O’Neill nuk kishte bërë mjaftueshëm për të mbrojtur shkencën gjatë kohës që mbante poste drejtuese në administratën Trump. Ai e kritikoi veçanërisht për qëndrimin ndaj vendimeve dhe deklaratave të sekretarit të Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr.
“Në atë rol, ai dështoi të kundërshtonte vendimet dhe deklaratat e papërgjegjshme nga Sekretari Kennedy”, deklaroi Cassidy gjatë fjalës së tij para komitetit, vetëm disa orë përpara seancës së planifikuar të O’Neill.
Jim O’Neill ka shërbyer si drejtor në detyrë i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) nga gushti 2025 deri në shkurt 2026. Më parë, ai mbajti edhe postin e zëvendëssekretarit të Departamentit amerikan të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, periudhë gjatë së cilës u ndryshuan rekomandimet për imunizimin rutinë të fëmijëve.
Bllokimi i kandidaturës i jep fund përpjekjes së O’Neill për të marrë drejtimin e një prej institucioneve kryesore shkencore në SHBA, i cili gjatë administratës Trump është përballur me shkurtime të konsiderueshme buxhetore dhe ngrirje të granteve.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë nuk e ka tërhequr zyrtarisht nominimin e tij. Cassidy kujtoi gjithashtu rastin e Heidi Overton, kandidates për komisionere të Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA), nominimi i së cilës u hoq pasi u bë e qartë se nuk kishte votat e nevojshme për konfirmim.
Senati, aktualisht i drejtuar nga republikanët, po vijon proceset e konfirmimit të emërimeve të administratës Trump përpara se demokratët të marrin shumicën në janar. Ndërkohë, detyrat e drejtorit të Fondacionit Kombëtar të Shkencës po kryhen përkohësisht nga shefi i stafit, Brian Stone, i cili ka njoftuar se planifikon të dalë në pension në fund të këtij viti.





Komente
Komento